Kur të vdes, ju them kush jam
(Rreth librit “Çadra e kuqe”, të Fatos Baxhakut. Botimet DITURIA 2013)Fjala “i përpiktë” ose “korrekt”, sugjeron një stil të tërë jetese në Austri. Shumë njerëz janë metodikë këtu, jo të prirur për të rrezikuar dhe nuk ëndërrojnë as risi e as të thyejnë rregullat. Nganjëherë më duket sikur kam 160 mësues gjermanë mbi kokë, sepse edhe kur po orvatem të blej një biletë në stacionin e trenit, personi në sportel do të më korrigjojë gramatikën. Kjo gjë kurrë nuk ndodh në vendin tim sepse do të konsiderohej një gjest i vrazhdë - shprehet një gazetar anglez për austriakët, në një nga shënimet e tij të udhëtimit.Pak a shumë, ky është stereotipi që ne kemi për botën gjermane në përgjithësi, përfshirë edhe austriakët. Në të vërtetë, një tablo shumë komplekse zbulohet përmes marrëdhënieve shqiptaro-austriake në librin “Çadra e kuqe” të publicistit Fatos Baxhaku, pavarësisht që ky nuk ka qenë qëllimi i këtij projekti.Çadra e kuqe
Titulli intrigues i librit vjen nga një fakt shumë i thjeshtë: në shënimet e udhëtimit të një ushtaraku austriak në Shqipëri, ndër të tjera, përmendet një çadër e kuqe e blerë në Innsbruck, të cilën, një prift katolik në Shllak, i shkolluar në Austri, e përdorte si një kod për të lajmëruar gjakësit se, ai që e mbante këtë çadër në dorë, ishte në besën e priftit dhe nuk duhej prekur. Dhe ky detaj kaq rastësor kthehet në një shenjë sinjifikative, në një kod të marrëdhënieve shqiptaro austriake, herë si mbrojtje, herë si dominim, herë si romancë dhe herë si një shenjë paralajmëruese SOS.Libri është konceptuar në dy pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë me fakte në planin historik, marrëveshjet zyrtare, ngjarje dhe personazhe të njohur, të cilët janë pjesë e kësaj historie, duke filluar nga feja, diplomacia, politika e deri tek albanologjia. Pra, le të themi, ky kapitull ka të bëjë me pjesën e dokumentuar të kësaj historie. Kurse në pjesën e dytë, që është edhe më intime, autori fokusohet në portrete dhe fate njerëzore, në fatet e përziera të familjeve shqiptaro-austriake, ose “dashurive të largëta”, siç e quan autori, që në të shumtën e rasteve rezultojnë dramatike.Duke ndjekur kronologjinë e një marrëdhënieje, e cila duket se i ka fillimet e saj shumë herët, që në shekullin XVI, zbulohet roli i fuqishëm që Austria ka pasur në krijimin e trashëgimisë sonë, duke filluar nga kufijtë politikë, gjuha, feja, ekonomia, arsimi, bujqësia, shëndetësia dhe kultura në përgjithësi, duke nisur nga një protektorat fetar, te koalicioni anti-osman, për t’u zhvilluar pastaj në një marrëdhënie politike, ekonomike dhe kulturore që fuqizohet ndjeshëm në fillim të shekullit XX, për të mbërritur kulmin gjatë sundimit të princ Vidit deri në Luftën e Dytë Botërore, kur pothuajse u fashit nga rivaliteti i shtetit fqinj, Italisë.Historia me një sy më “romantik”Për të shkruar këtë libër, autori i është referuar dokumenteve zyrtare dhe botimeve, të cilat, për habinë tonë, janë jo të pakta nga studiuesit gjermanë dhe austriakë dhe vonë, edhe nga studiuesit shqiptarë. Por ndryshe nga një libër studimor, Baxhaku ndjek një linjë shumë më eficiente të rrëfimit të historisë: atë të fuqizimit të detajit. Kam pyetur veten shpesh, se si është e mundur që nga tetë vjet që kam bërë histori në shkollë, mbaj mend shumë pak gjëra. Me sa duket shifrat, të dhënat gjeografike, raporti shkak-pasojë, akademizmi në përgjithësi, janë të pamjaftueshme për të joshur kujtesën. Por, kur përfshin në rrëfim detaje në dukje kaq të parëndësishme, të cilat i përkasin prapavijës së ngjarjeve, që kanë të bëjnë me jetën, të përditshmen, personalitetin, huqet, të veçantat, mund të jetë një taktikë që e vitalizon subjektin historik. Fjala vjen, është një praktikë më se e pranueshme në shkollat perëndimore, që një mësues historie nis e flet edhe për marrëdhënien e Bonapartit me shahun, dhe disa nga reagimet e tij të çuditshme, kur ka si temë fushatat e Bonapartit. Fundja, ky është edhe qëllimi i historisë sipas Nietzches: “Ne duam të shërbejmë historinë vetëm për të treguar që historia i shërben jetës.” Në rastin e Baxhakut, mund të sjellim mjaft shembuj, kur ai përmes përqendrimit te detajet, pasuron kontekstin, zgjeron imazhin tonë mbi realitetin e kohës. Fjala vjen, ai citon Hahn, në pjesë për tregtinë në Shkodër: “Po këtu një gjë më bën përshtypje, – shkodranët importojnë fare pa sheqer, sepse këtu për ëmbëlsimin e gjërave përdoret ende mjalti në masë të madhe”. Ose historia e shkodranit me një anije të vogël në shtator 1913, i cili, në mungesë të flamurit shqiptar (ishte ende shpejt për të pasur në dorë një flamur me shkabën dykrenare), ngriti mbi direkun e anijes një gjë të sajuar me një sfond të kuq dhe një shirit të zi në mes dhe ky flamur mbeti kështu edhe për shumë kohë flamuri i marinës detare shqiptare…Pra, histori që nganjëherë afrohen me anekdotat. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në lidhje me përshkrimin e karaktereve. P.sh, përshkrimi i Ghilardit, njeriut të afërt të mbretit Zog, sipas Quaronit, detaje të cilat mund të ishin anashkaluar me syrin akademik, i japin kësaj figure më kompleksitet: “I adhuronte fëmijët dhe i mbante përherë xhepat plot më sheqerka që i kishte sajuar vetë, të cilat i shpërndante djathtas dhe majtas…Gjesti i tij ishte i përzemërt, dhe zëri i ngjirur e humbiste pak atë ashpërsinë e vet, po fytyra e tij mbetej mosmirënjohëse, e ashpër, e ftohtë”.Përveç austriakëve, historia e parë nga ky vështrim marrëdhëniesh zbulon edhe fakte dhe anë të panjohura të vetë figurave të njohura shqiptare. Është interesant p.sh, reagimi i Zogut (ministër atë kohë) në rastin e vdekjes misterioze të një qytetareje austriake në Dispanserinë e Tiranës në vitin 1922, një rast që u kthye në problem diplomatik që i hapi rrugën shantazhit politik mbi mjekun e autopsisë. Dhe një mbret Zog, i cili i njohur si gjakftohtë dhe i përmbajtur në momente kyçe, shfaqet shumë hakmarrës në rastin e vrasjes së mikut të tij, Ghilardit, për të mos folur pastaj për miqësinë e tyre akoma më enigmatike. Dhe këto fakte bëjnë sens. Në librin e tij “Një histori nga afër e njerëzimit”, filozofi britanik Theodore Zeldin e zbulon historinë e botës përmes mënyrës se si njerëzit lidhen me njëri-tjetrin në kultura dhe kohë të ndryshme.Doktor Basho dhe Ajnshtajni, me pasaportë shqiptarePretendimit aq të përfolur kohët e fundit, që Ajnshtajni, qytetar austriak atëkohë, ka pasur një pasaportë shqiptare, i shtohen edhe dy dëshmi në këtë libër: ajo e stërnipit të mjekut personal të mbretit Zog, doktor Basho-s, i cili madje ka pasur edhe korrespondencë me Ajnshtajnin, që iu dogj kur iu sekuestrua klinika dhe dëshmia e A. Begës, nëpunësit të bankës të asaj kohe, dhënë prof. Skënder Kojës. Pra, kemi të bëjmë me një kapitull tjetër të marrëdhënieve shqiptaro-austriake, atyre me hebrenjtë austriakë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.Dhe po kaq e rëndësishme në kontekst është letra që Robert Shvarc i ka lënë të birit, letër që shpjegon më së miri historinë e familjes dhe përmes saj marrëdhëniet e vërteta shqiptaro-hebreje gjatë luftës, të cilat, me sa duket janë idealizuar disi. Por më interesante akoma është pjesa që flet për përndjekjen e hebrenjve në Shqipëri nga komunizmi, për të cilën deri tani është folur shumë pak, duke filluar nga burgjet, survejimi i përhershëm, dhe shfrytëzimi djallëzor i kapaciteteve të tyre për interesat e veta.Dashuritë e largëtaNatyrisht, portretet njerëzore janë ato me të cilat autori ndjehet më në ujërat e tij. Një përvojë e gjatë dhe mbresëlënëse me reportazhin ka përforcuar tek ai qasjen ndaj personazhit dhe momentit. Portretet, herë përmes përshkrimeve, herë përmes bisedave të drejtpërdrejta me ta, dhe herë përmes letërkëmbimit (një diversitet formash), nganjëherë kapërcejnë edhe vetë imagjinatën letrare. Rasti i Stefan Ingrisch (i cili ishte nisur për në Jerusalem dhe përfundoi në Shkodër aksidentalisht, për shkak të një defekti në anije), çuditërisht i ngjashëm me atë të Francesco Gargiola-s, marinar, i cili pësoi po të njëjtin fat, duken gati përvoja mitologjike. Dakord, janë fakte, por ama autori ka meritën e modelimit të tyre (kujtoj mënyrën se si përshkruan autori afrimin e Pjetrit me Marinë). Edhe rasti i Helga Myftiut ishte i tillë. Por, edhe rasti i austriakeve dhe austriakëve, të cilët përfunduan në Shqipëri nga nevoja për një punë apo nga idealizmi, janë jo më pak të çuditshëm, sidomos nga kthesa e paparashikuar që marrin jetët e tyre pas izolimit komunist. Po kështu rasti i Maria Schabernik, i Ludmilla Shestanit etj. Ata janë të gjithë austriakë, që i nënshtrohen rregullave të këtij vendi, komunitetit, kulturës sonë, duke mbetur përgjithësisht të heshtur dhe të rezervuar, e pa u ankuar (“nuk i duroj qaramanët”, shprehet një tjetër austriake). Dhe e pranojnë realitetin, duke u rrethuar vullnetarisht me një unazë të akullt heshtjeje, moskomunikimi, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur familjet nga damka e të qenit “gjerman”, që do të thoshte, “i dyshuar”.”Kur të vdes, ju them se kush jam”, tha Karlo Grossler, i cili kurrë nuk kishte folur hapur dhe vdiq i rraskapitur, i përbaltur nga regjimi, pa mundur ta mbante këtë premtim që u dha pasardhësve të tij.Me forcën e jashtëzakonshme të karakterit dhe rolin deciziv të rastësisë që ekspozon ky kapitull, autori, pa e kuptuar, shkon edhe përtej pretendimeve prej publicisti, duke ngacmuar tek lexuesi çështje të ndjeshmërisë së lartë, dilema metafizike, të cilat, zakonisht, ne ia atribuojmë vetëm letërsisë dhe artit./Burimi: mapo.al/