Takimi i Ramës me administratën, PD: Po bën miting duke dhunuar nëpunësit
Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po përdor për qëllime të tij politike administratën shtetërore. Në një dalje për mediat zëdhënsja e selisë blu, Laura Vorpsi, tha se Kryeministri shkeli zotimin e tij të fushatës elektorale teksa premtonte se asnjëherë nuk do të detyronte administratën që ta ndiqte pas. Sipas saj në takimin e njoftuar sot nga Rama, shefat e ministrive e të institucioneve të tjera kanë bërë gati në mënyrë ushtarake listat e pjesëmarrjes dhe listat e duartrokitjeve të sforcuara.“Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot një miting me administratën publike, ndërkohë që qindra e mijëra punonjës janë urdhërua nga shefat e tyre që të jenë prezent. Kundër vullnetit të tyre, nëpunësit do të jenë të detyruar të duartrokasin sot Kryeministrin pas orarit zyrtar të punës, sepse shefit të madh i nevojiten ovacione në krye të 100 ditëve me bilancin më të dështuar në historinë e qeverive shqiptare.Ka qenë përbetuar Edi Rama se asnjëherë nuk do të detyronte administratën që ta ndiqte atë pas, por sot shefat e ministrive e të institucioneve të tjera kanë bërë gati në mënyrë ushtarake listat e pjesëmarrjes, listat e duartrokitjeve të sforcuara”tha ajo.Vorpsi theksoi se administrata ka nevojë për ligjshmëri, për forcim të kapaciteteve, për stabilitet. Sipas PD, mitingjet qeveritare, demagogjia për të fshehur terrorin mbi nëpunësit civil, dhe farsat e konkurseve që sjellin në drejtim të arsimit drejtuesit e partisë socialiste, janë e kundërta e nevojave të vendit.“Kryeministri Rama e bën këtë takim me administratën, teksa ka qënë për më shumë se 3 muaj në krye të operacionit të spastrimit të nëpunësve civilë e profesionistëve, e zëvendësimit të tyre me militantë të pagdhendur, si shpërblim për fushatën elektorale.Kryeministri Edi Rama bën takim me administratën, pasi ka larguar mijëra specialistë, zonjë e zotërinj të përkushtuar në detyrë, dhe i ka zëvendësuar ata me duartrokitësit e orës 5.Sot administrata ka nevojë për ligjshmëri, për forcim të kapaciteteve, për stabilitet. Këtë kërkon integrimi europian dhe partnerët tanë. Mitingjet qeveritare, demagogjia për të fshehur terrorin mbi nëpunësit civil, dhe farsat e konkurseve që sjellin ën drejtim të arsimit drejtuesit e partisë socialiste, janë e kundërta e nevojave të vendit” deklaroi zëdhënësja e PD.