PD: Hetim aferës te tatimet, selia blu gati kërkesën për Komisionin hetimor
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar sot Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor, për të zbardhur manipulimin që ka ndodhur me të dhënat konfidenciale të qytetarëve shqiptarë, në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.“Në një akt të paprecedentë, në shkelje te ligjit, dhe me bekimin e qeverisë një grup specialistësh, të udhëhequr nga këshilltari i Ministrit të Financave që është edhe vëllai i Ministrit të Energjetikës, kanë ndërhyrë në serverin qendror të të dhënave të Drejtorisë së Tatime. Puna e zhvilluar gjatë natës dhe në ditë pushimi në errësirë të plotë ngre dyshime të forta se kjo ndërhyrje është bërë për interesa klienteliste të qeverisë.Kjo ndërhyrje ka sjellë mosfunksionimin e sistemit elektronik tatimor për më shumë se dy javë, janë cënuar të dhënat konfidenciale të qytetarëve të mbrojtura me ligj, si dhe i është shkaktuar një dëm i madh biznesit dhe arkës së shtetit.Duke e konsideruar këtë çështje, me interes të lartë publik, i kemi drejtuar sot kërkesën Kuvendit të Shqipërisë për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm parlamentar të kësaj ngjarjes, në mënyrë që të zbardhen të vërtetat e të nxirren në dritën e diellit përgjegjësitë dhe përgjegjësit”deklaroi deputetja demokrate Jorida Tabaku.PD kërkon nga Parlamenti të ngrihet në përgjegjësinë që i takon, dhe të hetojë këtë veprimtari anti-shtet dhe anti-ligj, në mënyrë që shkaktarët të mbajnë përgjegjësi dhe që të tilla fenomene të mos përsëriten më.K Ë R K E S ËDREJTUAR: ZOTIT ILIR META KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË Adresa: Kuvendi i Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, TiranëKËRKUES: MË SHUMË SE ¼ E TË GJITHË DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË, ANËTARË TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKEOBJEKTI: Krijimi i një Komisioni Hetimor të Kuvendit, për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjeve dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore.BAZA LIGJORE: Nenet 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë; Ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”; si dhe neni 25 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,Në mënyrë të paprecedentë administrata tatimore për disa ditë ka mbajtur të fikur të gjitha shërbimet elektronike për qytetarët dhe bizneset. Kjo situatë nuk është shoqëruar me asnjë njoftim zyrtar për shtyp të Derejtorisë së Përgjithshme të Tatimore, ku domosdoshmërisht duhet të ishin udhëzuar tatimpaguesit se si të vepronin. Serverat dhe sistemet elekronike të tatimeve janë mbajtur të fikuara deri më datë 05.12.2013. Në këtë datë Ministria e Financave deklaroi se shërbimet elektronike tatimore janë operative dhe funksionale, por është konstatuar se nga të gjitha shërbimet punonte vetëm faqja zyrtare e internetit dhe asnjë nga shërbimet e deklarimit (sic janë: librat e shitblerjes, TVSH TF, sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, listpagesave, etj.). Shumë biznese deklarojnë se nuk janë në gjendje të shohin deklaratat e tyre, gjë e cila nënkupton se të dhënat tatimore mund të jenë fshirë.Të gjitha këto veprime janë tregues i qartë i një veprimtarie të kundërligjshme të administratës tatimore, përmbushje jo e rregullt e detyrës dhe që passjell pasoja të rënda për qytetarët dhe bizneset. Konkretisht, këto veprime sjellin këto pasoja:- Bizneset nuk deklarojnë dot, pasi deklarimet bëhen vetëm nëpërmjet formës elektronike dhe për pasojë ato janë në pamundësi për të paguar.- Duke mos patur një procedurë të përcaktuar për realizimin e deklarimeve, biznesi ka qenë në kushtet e pasigurisë, duke krijuar rradhë të gjata në të gjitha zyrat e shërbimit postar, si dhe duke degraduar mekanizimin e ndërtuar më parë.- Krijohet hapësirë për evazion fiskal dhe abuzime të ndryshme.- Pengohet regjistrimi i bizneseve të reja dhe këto regjistrime nuk pasqyrohen në sistem.- Kasat fiskale duke qenë të bllokuara nuk raportojnë dot të dhënat.- Paralizohet puna në të gjithë administratën tatimore.- Mungesa e kontrollit tatimor, i jep mundësi abuzuesve të kryejnë veprime të kundërligjshme.Për të gjitha pasojat e dëmshme që shkakton kjo problematikë është e dmosdoshme që të hetohet nga Kuvendi arsyet që kanë shkaktuar këtë situatë, nëpërmjet kontrollit të zbatimit të ligjeve, të nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e zbatimit të tij dhe që të bëhen rekomandimet përkatëse me qëllim parandalimin dhe eleminimin e këtij fenomeni negativ, si dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen.I. FAKTET DHE RRETHANAT E CËSHTJESNga të dhënat që disponon Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (një pjesë e të cilave ndodhet bashkëlidhur), rezulton se në datë 12.11.2013 z. Renald Rista, me detyrë Drejtor i Teknologjisë së Infomacionit pranë Drejtësisë së Përgjithshme të Tatimeve është thirrur në zyrë nga zj. Brisida Shehaj, me detyrë Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, e cila e ka prezantuar me znj. Tatjana Elezi, drejtore e Auditit të Ministrisë së Financave dhe z. Panajot Gjiknuri, këshilltar i Ministrit të Financave për Teknologjinë e Informacionit (TI). Nga Drejtoresha e Përgjithshme është komunikuar se z. Gjiknuri do të merrej edhe me situatën e TI në DPT.Më datë 15.11.2013 rreth orës 10:20 z. Rista është informuar nga specialistët e drejtorisë së TI (z. Andi Agaraj dhe znj. Alketa Aliaj) se Drejtoresha e Përgjithshme znj. Brisida Shehaj, kishte hyrë në dhomën e serverave sëbashku me një person të panjohur prej tyre. Z. Rista ka verifikuar menjëherë kamerat e sigurisë nga ku rezulton se në orën 09:50 në zyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme ishte paraqitur z. Ermal Beqiri, i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë z. Spartak Braho. Në orën 10:18 Drejtoresha e Përgjithshme bashkë me z. Beqiri janë futur në dhomat e serverave. Në orën 16:15 z. Risa ka zhvilluar një takim në zyrën e Drejtores së Përgjithshme me z. Ermal Beqiri. Drejtoresha e Përgjithshme e ka prezantuar atë si të derguarin e Ministrit te Financave dhe të Kryeministrit, dhe që ishte i ngarkuar të bënte një raport për sistemet elektronike të tatimeve.Z. Rista i ka kërkuar z. Beqiri ti shpjegonte se cfarë do të bënte dhe cila është kërkesa. Z. Beqiri i ka shpjeguar se kishte ardhur të bënte klonim (kopje identike) të serverit të sistemit. Z. Rista i ka kërkuar të paraqiste një dokument (urdhër, vendim apo shkresë) në të cilën mbështeste ligjërisht punën e tij. Z. Beqiri ka deklaruar se dokumenti është sjellë në DPT dhe nuk kishte kopje me vete. Z. Rista i ka kërkuar të gjente dokumentin përpara se ta lejonte atë të kryente ndonjë veprim. Menjëherë z. Rista ka marrë kontakt me Drejtoren e Përgjithshme për t’i kërkuar dokumentacionin mbështetës të veprimtarisë që do të kryente z. Beqiri. Z. Rista i i ka shpjeguar Drejtoreshës se të dhënat që DPT disponon jane shumë sensitive dhe mund të konsultohen me to vetëm punonjësit e administratës që janë të autorizuar ose nëse ka një vendim gjykate apo urdhër të prokurorit. Drejtoresha e Përgjithshme është shprehur se e ka marrë shkresën e Ministrisë së Financave dhe se z. Beqiri dhe grupi i tij duhej lejuar që të kryente punën e tij, sepse e ka derguar Kryeministri dhe Ministri i Financave. Sëbashku me z. Beqiri kanë qenë edhe 3 persona të tjerë të cilët janë prezantuar si punonjës të disa kompanive private dhe se ishin pjesë e grupit të punës që drejtohej nga z. Beqiri.Z. Rista i ka kërkuar deklaratat e konfidecialitetit që këta persona kanë bërë, pasi të dhënat që kërkohen janë sensitive dhe konfidencialiteti i tyre mbrohet me ligj. Z. Rista ka nisur menjëherë punën për përpilimin e deklarateve të konfidencialitetit që duhet të nënshkruheshin nga të gjithe personat që do të futeshin në dhomën e serverave dhe do të punonin me serverat. Z. Beqiri i ka komunikuar se asnjë nga personat nuk do të firmoste. Qëndrimi i z. Rista ka qenë i prerë se pa nënshkrimin e kësaj deklarate personat nuk do të lejoheshin të futeshin në Dhomën e Serverave. Gjatë kohës që po debatohej mbi këtë cështje, z, Rista është urdhëruar verbalisht nga Drejtoresha e Përgjithshme që t’i jepeshin të gjitha të dhënat që kërkonin, sepse ishin të dërguarit e Kryeministrit dhe se debati që po zhvillonin ishte pakuptim.I gjendur para ketyre kushteve, z. Rista ka telefonuar katër specialistë të TI të paraqiteshin në punë për të shoqëruar këta persona në punën që do të bënin. Rreth orës 18:30 z. Rista ka shoqëruar z. Beqiri dhe ekipin e tij pranë Dhomës së Serverave dhe i ka lënë specialistet e TI në DPT (z. Robert Shahini, z. Sokol Ibraj dhe z. Andi Agaraj) për të monitoruar punën e tyre. Z. Rista i ka kërkuar specialistëve të TI në DPT të mbanin procesverbale mbi cdo veprim që do të kryhej.Më datë 16.11.2013 (ditën e Shtunë) rreth orës 11:00 z. Rista është informuar nga specialistët e DPT (z. Sokol Ibraj) se kishin qëndruar në punë deri në orët e para të mëngjesit (ora 07:00) dhe se z. Beqiri sëbashku me ekipin e tij po kopjonin cdo të dhënë që gjendej në servera (rreth 34 servera), pra nuk po kopjonin vetëm të dhënat e sistemit të deklarimit elektronik, por cdo gjë që ishte prezente në Dhomën e Serverave dhe se do të vazhdonin punën rreth orës 12:00 të dites se shtune. Z. Beqiri ka vijuar me specialistet e tij dhe ne presence te specialisteve te DPT (Sokol Ibraj dhe Robert Shahini) punen per kopimin e te dhenave gjatë gjithë ditës së diel, pavarësisht kundërshtimeve që ka patur Drejtori i TI për ligjshmërinë e procesit. Ky proces ka vijuar edhe ditën e dielë më datë 17.11.2013. Për të provuar ndërhyrjet në sistemet përkatëse, Z. Rista ka marrë pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në DPT të hyrje daljeve të këtyre personave gjatë dy ditëve.Ditën e hënë datë 18.11.2013 z. Rista është informuar nga stafi i TI mbi faktin se në sisteme (server) kishte ndryshme të datës dhe orës dhe si pasojë të gjithë ata që deklaronin në datë 18.11.2013 në sistem regjistroheshin me datë tjetër. (bashkëlidhur disa e-mail-e që tregojnë problemin), si dhe disa servera nuk ndizeshin si pasojë e ndërhyrjeve gjatë fundjavës. Z. Rista ka urdhëruar stafin e TI të evidentonin të gjitha rastet që do kishin këto probleme, të mbanin procesverbale për evidentimin dhe ngjarjen e ndodhur dhe ti raportonin.Në datë 19.11.2013 (ditën e Marte) rreth orës 08:30 z. Rista është informuar nga stafi i TI se z. Ermal Beqiri dhe z. Panajot Gjiknuri, të instaluar në zyrën e drejtorit të auditit (me kompjuter dhe laptop) kishin filluar të merrnin në pyetje stafin e TI, duke i pyetur këta të fundit rreth të dhënave personale, si dhe për pajisjet dhe sistemet (si username, password, etj.) pa e vënë në dijeni dhe pa e njoftuar Drejtorin e TI z. Rista. Personat që janë pyetur nga z. Ermal Beqiri dhe z. Panajot Gjiknuri ishin Andi Agaraj, Erlish Shahu, Robert Shahini, Sokol Ibraj dhe Alketa Aliaj.Në datë 21.11.2013 në zyrën e z. Rista janë paraqitur disa përgjegjësa sektori të TI si Gjergj Nestor, Vilma Muslli dhe Alketa Aliaj, të cilët e kanë informuar mbi një problem që kishte sistemi i deklarimit elektronik. Dukej sikur mungonin deklaratat e biznesit për të gjitha periudhat e mëparshme. Ky fakt ishte diktuar nga Midena Bardhi (specialiste e TI). Procesi i cili transferon deklaratat nga sistemi i deklarimit online në SIT (Sistemi i Integruar i Tatimeve) një ditë më parë ishte duke transferuar deklaratat e muajit Tetor (ky proces zgjat disa ditë për të transferuar deklaratat e një dite) dhe atë ditë kishte kaluar shumë shpejtë deri në datën 20 Nëntor. Në ato momente z. Rista ka njoftuar në telefon z. Panajot Gjiknurin dhe i ka kërkuar të paraqitet sa më shpejtë në DPT, si dhe të marrte me vete të gjithë teknikët që kishin ndërhyrë në server gjatë ditëve të fundit. Z. Rista ka telefonuar z. Elton Ropi (punonjës i shoqërisë iKubInfo e cila kishte ndërtuar atë sistem) të vinte sa më shpejtë pranë DPT për t’i ndihmuar në analizimin e serverave dhe rekuperimin e të dhënave. Në orën 10:15 z. Rista ka lidhur laptopin me monitorin e madh në zyrën e tij dhe në presencë të Alketa Aliaj, Gjergji Nestor dhe Vilma Muslli ka hapur databazën dhe ka vënë re se në tabelen e deklarimeve ndodheshin vetëm 733 deklarata në të cilat data më e herëshme i përkiste 20.11.2013 ora 16:06. Për sa është vërejtur perciptaz në sistem kishte edhe deklarata të datës 22.11.2013, datë e cila nuk kishte ardhur akoma pasi ishim në datën 21.11.2013. Në orën 10:20 në zyrën e z. Rista ka ardhur edhe z. Panajot Gjiknuri me z. Ermal Beqiri të cilëve i është shpjeguar problemi dhe i është kërkuar sqarime për veprimet që kishin bërë. Gjithashtu z. Rista i ka kërkuar të rregullonin serverin dytësor të databasës i cili nuk ndizej prej datës 17.11.2013 për shkak të ndërhyrjeve që ishin bërë. Rreth orës 11:15 z. Rista dhe të gjithë të pranishmit në zyrën e tij kanë shkuar në Dhomën e Serverave përfshirë edhe specialistët e auditit për të parë serverat. Në ato momente kishte mbërritur në godinë z. Elton Ropi bashkë me z. Ermond Pardhaku (punonjës të shoqërisë iKubInfo). Z. Rista i ka kërkuar stafit të TI në DPT, përfaqësuesve të iKubInfo dhe personave të auditit të punojnë me shumë kujdes pasi një gabim i vogël mund të dëmtonte të dhënat, duke i udhëzuar që në përfundim të bënin një relacion për Drejtoreshën e Përgjithshme për veprime të mëtejshme. Rreth orës 13.00 në DPT kanë ardhur oficerët e policisë, të cilët kanë kryer edhe veprimet procedurale përkatëse.II. BAZUESHMËRIA LIGJORE E KËRKESËSGjykata Kushtetuese e cilëson si “kompetencë kushtetuese” të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Duke e veshur një të katërtën e deputetëve me këtë pushtet, Kushtetuta “... institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare”, që realizohet “... në mënyrë të pavarur...” dhe që është “...i pakufizuar nga vullneti i shumicës”. E drejta e kontrollit hetimor i është njohur pakicës parlamentare, e cila, duke i pasur të kufizuara mjetet, “mund ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues”.Ushtrimi normal i veprimtarisë së Kuvendit kërkon ekzistencën e elementeve të domosdoshëm që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për respektimin e ligjeve nga të gjitha organet e tjera të pushtetit publik e shtetasit, si dhe pajisjen e tij me mjetet e përshtatshme për realizimin e kontrollit mbi mënyrën e zbatimit të ligjeve. Komisionet hetimore që ngrihen për këtë qëllim, në kuptim të nenit 77 të Kushtetutës, janë një mjet që i shërben pikërisht ushtrimit të kontrollit parlamentar. Ato janë instrument i rëndësishëm i parlamentit për mbledhjen e informacionit për çështje të veçanta, me qëllim arritjen në përfundime të caktuara. E analizuar në aspektin gjuhësor, interpretimi i fjalës çështje merr kuptimin e një dukurie, gjendjeje, ngjarjeje apo fakti që ka nevojë të shqyrtohet për t’u zgjidhur.Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike shpreh besimin se respektimi i parimit të ligjshmërisë nga ana e administratës publike përbën themelin e shtetit të së drejtës. Kryerja e veprimeve arbitrare dhe pa kurrëfarë mbështetje ligjore, që dëmtojnë bazat e të dhënave shtetërore, duke penguar ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe mbi të gjitha duke cenuar parimin e konfiedencialitet të të dhënave, nuk duhet të mbështeten dhe duhen frenuar.Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, synon që të mbledh informacione të hollësishme mbi zbatimin e legjislacionit në fuqi nga ana e administratës tatimore dhe arsyejeve të mosfunksionimit të sistemeve të tatimeve për disa ditë, duke evidentuar problematikat përkatëse dhe për të gjetuar zgjdidhet për të ardhmen. Objekti dhe qëllimi i ngritjes së këtij Komisioni Hetimor është në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore kushtetuese, për shkak se nuk nuk sjell konfondime dhe transferime kompetencash të parashikuara nga Kushtetuta për organe të tjera, por synon njohjen dhe verifikimin në thellësi të fenomenin të bërë publik për mosfunksionimin e sistemeve tatimore, me qëllimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta. Nga ana tjetër, nëpërmjet këtij hetimi parlamentar, kontrollohet edhe zbatimi i ligjeve, nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e zbatimit të tij dhe bëhen rekomandimet përkatëse me qëllim parandalimin dhe eleminimin e këtij fenomeni negativ, si dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen.E drejta e hetimit do të realizohet vetëm, brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe detyrave kushtetuese që parlamentarët kryejnë si përfaqësues të popullit për sqarim, apo hulumtim të hollësishëm të kësaj cështjeje. Dobishmëria e këtij hetimi sigurisht që shihet në nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, duke ndihmuar në evidentimin e problemeve dhe mospërsëritjen e këtij fenomeni me ndikim për vetë shoqërinë, biznesin, si dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.Nëse i referohemi praktikës ndërkombëtare, natyra e çështjeve të hetuara nga komisionet hetimore ka qenë e një rëndësie substanciale apo parësore për publikun, me ndikim të veçantë në marrëdhëniet ndërshtetërore, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe mospërsëritjen e fenomeneve të hetuara në të ardhmen. Në këtë drejtim, çështjet më të shumta kanë patur për objekt administrimin e fondeve publike, marrëdhëniet ndërshtetërore, falimentimet e korporatave apo subjekteve të ndryshme private, të cilët kanë patur impakt në ekonominë e vendit, apo hetimin e fenomeneve kriminale . Në rastin konkret, puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësisë penale për personat e përfshirë në këtë fenomen negativ, pasi kjo është detyrë funksionale e organeve të drejtësisë. Komisioni Hetimor do të përqëndrojë punën e tij në njohjen dhe verifikimin në thellësi të fenomenit të bërë publik për ndërhyrjen në sistemet tatimore, duke penguar funksionimin normal të tyre për disa ditë, me qëllimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta, si dhe parandalimin dhe eleminimin e këtij fenomeni negativ dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen, në përputhje të plotë me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.Objekti i hetimit, është i argumentuar qartë dhe në mënyrë të mjaftueshme në kërkesë, si dhe përmban fakte të përcaktueshme, të cilat të tregojnë qartë se për çfarë po hetohet, duke evidentuar edhe cështjen që kërkohet të hetohet. Nga dokumentacioni dhe pamjet filmike bashkëlidhur kësaj kërkese rezulton se ekziston një lidhje substanciale midis informacionit apo hetimit që kërkohet të realizohet, dhe një shkalle të arsyeshme të qëllimit legjitim të legjislativit, për mbrojtjen e Kushtetutës, si dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi. Është fakt i njohur botërisht se për ditë të gjitha sistemet e tatimeve për disa ditë nuk kanë funksionuar dhe për këtë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar! Ky fakt evidenton plotësimin e kriterit kushtetues se çështja duhet të jetë manifestuar përpara marrjes së një vendimi përkatës nga ana e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor. Për pasojë, kërkesa bazohet në ekzistencën e një fakti (sic është ndërhyrja në sistemet e tatimeve dhe mosfunksionimi i tyre) dhe jo për të verifikuar nëse mund të zbulohet ose të gjendet ndonjë e tillë në të ardhmen. Ajo që mbetet për t’u vlerësuar/hetuar nga Komisoni Hetimor është mekanizimi dhe arsyet e ndërhyrjes në sisteme dhe mosfunksionimit të mëvonshëm të tyre, përfshirja dhe përgjegjësinë e cdo strukture të shtetit në këtë ngjarje të kundërligjshëm, njohja dhe verifikimi i hollësishëm i problematikës, me qëllim parandalimin e fenomeneve të kundërligjshme në të ardhmen.Neni 25 i ligjit nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon se:“1. Nëpunësit dhe punonjësit e administratës tatimore, qendrore, dhe vendore, ruajnë konfidencialitetin e të dhënave tatimore dhe financiare të tatimpaguesit, që i kanë siguruar gjatë kryerjes së detyrës. Kjo pikë nuk zbatohet për detyrimet tatimore, për të cilat kanë filluar procedurat e mbledhjes me forcë.3. Informacioni i lidhur me tatimpaguesin përdoret brenda administratës tatimore, vetëm në masën e kërkuar për administrimin e tatimeve.4. Kushti i ruajtjes së konfidencialitetit përfundon në rastet kur tatimpaguesi heq dorë, me shkrim, nga e drejta e tij për ruajtjen e konfidencialitetit dhe për aq sa është e lejuar në deklarimin e bërë nga tatimpaguesi.5. Shkëmbimi i informacionit, i bërë në ekzekutim të marrëveshjeve të lidhura nga administrata tatimore, bëhet me kushtin e ruajtjes së konfidencialitetit për institucionet dhe individët, që marrin dijeni për të dhënat tatimore.”.Ndërkohë, neni 31 i të njëjtit ligj parashikon se:“1. Çdo tatimpagues ka të drejtën e konfidencialitetit për të dhënat e veta tatimore e financiare, të administruara nga administrata tatimore.2. E dhënë tatimore dhe financiare është çdo informacion, i cili merret nga administrata tatimore, gjatë ushtrimit të funksioneve, tek tatimpaguesi ose palët e treta.”.Për këtë arsye kopjimi i të dhënave është tregues i qartë i një veprimtarie të kundërligjshme të administratës tatimore, përmbushje jo e rregullt e detyrës dhe që passjell pasoja të rënda për qytetarët dhe bizneset. Nga ana tjetër, ushtrimi i veprimeve që pengojnë funksionimin e sistemeve elektronike të tatimeve sjellin këto pasoja:- Bizneset nuk deklarojnë dot, pasi deklarimet bëhen vetëm nëpërmjet formës elektronike dhe për pasojë ato janë në pamundësi për të paguar.- Duke mos patur një procedurë të përcaktuar për realizimin e deklarimeve, biznesi ka qenë në kushtet e pasigurisë, duke krijuar rradhë të gjata në të gjitha zyrat e shërbimit postar, si dhe duke degraduar mekanizimin e ndërtuar më parë.- Krijohet hapësirë për evazion fiskal dhe abuzime të ndryshme.- Pengohet regjistrimi i bizneseve të reja dhe këto regjistrime nuk pasqyrohen në sistem.- Kasat fiskale duke qenë të bllokuara nuk raportojnë dot të dhënat.- Paralizohet puna në të gjithë administratën tatimore.- Mungesa e kontrollit tatimor, i jep mundësi abuzuesve të kryejnë veprime të kundërligjshme.Duke qenë një cështje e vecantë dhe konkrete, si dhe për vetë pasojat e rënda që sjell cenimi i të drejtës për konfidencialitet apo mosfunksionimi i sistemeve elektronike tatimore, cmojmë se evidentimi i hollësishëm i rrethanave të kësaj cështje, me qëllim frenimin e këtij fenomeni në të ardhmen, përbën një çështje me rëndësi të veçantë shtetërore/publike. Mosushtrimi i rregullt i detyrës nga ana e administratës tatimore dhe mosrespektimi prej tyre i parimit të ligjshmërisë, cenon funksionimin e rregullt të organave shtetërore, si dhe të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve. Gjykata Kushtetuese ka specifikuar se cështjet e hetimit të trajtuara në aspektin e verifikimit të zbatueshmërisë së legjislacionit, të formulimit të propozimeve apo iniciativave ligjore që kanë për qëllim frenimin dhe parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin janë të përfshira në konceptin kushtetues si çështje e veçantë. Në këtë mënyrë, objekti i hetimit të komisionit parlamentar, i fokusuar në një çështje të veçantë sic është përcaktimi i arsyeve dhe mekanizimit të ndërhyrjes në sistemet tatimore, me pasoja jashtëzakonisht të dëmshme për shtetin, qytetarët dhe bizneset, evidenton njëkohësisht edhe qëllimin e hetimit parlamentar.Kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, përmbush tre kriteret kushtetuese si më poshtë: 1) çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat ai është i autorizuar të marrë masa ligjore; 2) objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete, që lidhet me ndërhyrjet në sistemet tatimore me pasojë mosfunksionimin e sistemeve për disa ditë; si dhe 3) ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për ekzistencën e një paligjshmërie, për të cilën është i nevojshëm hetimi parlamentar.I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,Në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës, parimeve të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe interesit publik, nisur nga pasojat e dëmshme që sjell ndërhyrja në sistemet tatimore dhe mosfunksionimi i tyre, si dhe me synimin për ti vënë fre një herë e mirë praktikave të tilla antiligjore, në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”; si dhe nenin 25 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,KËRKOJMË:Ngritjen e një Komisioni Hetimor, me:Qëllim – Kontrollin e zbatimit të legjislacionit tatimor dhe administrimit të bazave të të dhënave shtetërore nga ana e administratës tatimore për periudhën 12.11.2013 – 07.12.2013, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi problematikën e bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore, me synim parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete.Objekt dhe cështjet që do të hetohen – 1) Kontrollin e zbatimit të legjislacionit tatimor në administrimin e bazave të të dhënave shtetërore nga ana e administratës tatimore për periudhën 12.11.2013 – 07.12.2013; 2) Njohja dhe verifikimi i problematikës së ndërhyrjeve në sistemet tatimore, me qëllim përcaktimin e mënyrës së funskionimit të këtij mekanizimi, si dhe identifikimin e përgjegjësive nga organet apo personave zyrtar përkatës, me synimin për frenimin me mjete ligjore të shfaqjes së tij në të ardhmen; 3) Njohja me arsyet e mosfunksionimit të sistemeve tatimore për disa ditë, me qëllim parandalimin e kësaj problematike të dëmshme në të ardhmen.Përbërje – Kryetari dhe 5 anëtarë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 5 anëtar përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste; 1 anëtarë përfaqësues i Grupit Parlamentar të partive të tjera të opozitës parlamentare; 1 anëtarë përfaqësues i Grupit Parlamentar të paritive të tjera të mazhorancës parlamentare.Afat të përfundimit të hetimeve – 2 muaj nga krijimi i Komisionit Hetimor.Në këto rrethana, me qëllim sqarimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nga administrata tatimore për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore, identifikimin e përgjegjësive për ndërhyrjen në sistemet tatimore dhe mosfunksionimin e tyre për disa ditë nga organet apo personat zyrtar përkatës, analizimin e gjetjeve për të përgatitur rekomandimet për ndërhyrje ligjore e administrative për parandalimin apo eliminimin plotësisht të tyre në të ardhmen, kërkojmë shqyrtimin dhe miratimin e projektvendimit për ngritjen e Komisionit Hetimor, që i bashkëlidhet kësaj kërkese.Gjithashtu, në mbështetje me nenin 7 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, kërkojmë nga ana juaj që sa më parë, por në cdo rast jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së kërkesës, të mblidhni Byronë e Kuvendit për të diskutuar mbi këtë kërkesë, përbërjen e komisionit, si dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,DEPUTETËT:REPUBLIKA E SHQIPËRISËKUVENDIVENDIMNr. ______, datë ____/11/2013PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR TË KONTROLLUAR ZBATIMIN E LEGJISLACIONIT NË FUQI PËR ADMINISTRIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE TATIMORENë mbështetje të neneve 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës, të neneve 5, 6, 8 e 9 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit", si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,KUVENDII REPUBLIKËS SË SHQIPËRISËVENDOSI:I. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjeve dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore, me synim parandalimin e këtij fenomeni negativ për shtetin, qytetarët dhe bizneset dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete.II. Objekti i punës së komisionit hetimor është:1) Kontrollin e zbatimit të legjislacionit tatimor në administrimin e bazave të të dhënave shtetërore nga ana e administratës tatimore për periudhën 12.11.2013 – 07.12.2013;2) Njohja dhe verifikimi i problematikës së ndërhyrjeve në sistemet tatimore, me qëllim përcaktimin e mënyrës së kryerjes së këtij veprimi, si dhe identifikimin e përgjegjësive nga organet apo personat zyrtar përkatës, me synimin për frenimin me mjete ligjore të shfaqjes së tij në të ardhmen;3) Njohja me arsyet e mosfunksionimit të sistemeve tatimore për disa ditë, me qëllim parandalimin e kësaj problematike të dëmshme në të ardhmen.III. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, vecanërisht parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe duke respektuar dhe duke mos mbivendosur kompetencat e organeve të drejtësisë.IV. Komisioni hetimor, i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, me qëllim ndalimin përfundimtar të ndërhyrjeve të paligjshme në sistemet tatimore dhe, sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.