Takimi Rama-Patton Boggs, Kryeministria: Nuk do riaktivizohen marrëdhëniet

Zyra për shtyp e Kryeministrisë ka hedhur poshtë çdo mundësi për vazhdimin e marrëdhënies së qeverisë me kompaninë Patton Bogs. Referuar shtypit të sotëm, Kryeministria sqaron në deklaratën e saj se nuk ka patur asnjë takim “sekret” të shefit të qeverisë me kompaninë në fjalë.“Zyra e shtypit e Kryeministrisë bën të ditur se takimi është zhvilluar me kërkesë të përfaqësuesve të kompanisë, ndërsa thekson se qeveria nuk ka në plan të riaktivizojë marrëdhënie financiare me "Patton Boggs".Disa gazeta kanë raportuar sot mbi një takim "sekret" mes Kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të "Patton Bogs". Ky takim është zhvilluar si shumë takime të tjera në zyrën e kryeministrit me kërkesë të përfaqësuesve të kompanisë në fjalë. Në asnjë rast nuk bëhen takime të fshehta në zyrën e kryeministrit dhe qeveria e re shqiptare nuk ka asgjë për të fshehur as në raport me këtë kompani dhe as në raport me çfarëdo kompanie që natyrshëm kontakton drejtpërdrejtë me kryeministrin e vendit. Fakti është se qeveria shqiptare as nuk ka riaktivizuar dhe as nuk ka në plan të riaktivizoje marrëdhënie financiare me 'Patton Bogs'”,- thuhet në deklaratë.Ndërsa konfirmon takimin në fjalë, Kryeministria nuk jep asnjë detaj për ato që janë diskutuar mes shefit të qeverisë dhe përfaqësuesve të kompanisë amerikane të lobimit.Kompania amerikane e lobimit “Patton Boggs” ka përfituar mbi 3 milionë dollarë nga qeveria “Berisha”. E vënë gjithmonë në shënjestër të akuzave të ashpra të Partisë Socialiste, ndaj saj është depozituar në Prokurori edhe një kallëzim penal “Për mashtrim” nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe lidhur me dështimin e garancisë 85 milion euro të tenderit të privatizimit të “Albpetrol”.