Gjosha, Taylor: Fushat e bashkëpunimit me KiE, në të njëjtën linjë me prioritetet për statusin

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim Drejtoreshën e Përgjithshme të Këshillit të Evropës (KiE), Verena Taylor.Ministrja Gjosha, e vlerësoi si tepër të rëndësishëm bashkëpunimin që Shqipëria ka pasur me KiE-n gjatë këtyre 15 viteve që është anëtare e saj.Ministrja, nënvizoi se thellimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi në fushat e shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit është në të njëjtën linjë me prioritetet kryesore të lëna nga Komisioni Evropian.Gjithashtu, Gjosha ritheksoi se Ministria e Integrimit Evropian është institucioni kyç ndërlidhës mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, për të garantuar mbarëvajtjen e gjithë procesit të integrimit.Ministrja Gjosha, shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Integrimit për intensifikimin e kontakteve e bisedimeve në lidhje me projektet që janë vënë në zbatim apo janë në proçes, si dhe shfrytëzimin e mundësive të reja në këtë drejtim.“Këshilli i Evropës ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Shqipëri. Ne jemi të fokusuar në 5 prioritetet e lëna nga Komisioni dhe për këtë ka një plan konkret masash, por nga ana tjetër po koordinojmë me ministritë e linjës edhe për prioritete të tjera të rëndësishme te qeverisë si Infrastruktura, Mjedisi, Energjia. Janë prioritete që i shërbejnë zhvillimit të vendit”, tha ministrja Gjosha, gjatë takimit.Drejtoresha e Përgjithshme e Këshillit të Evropës (KiE), Verena Taylor, u shpreh se Shqipëria ka ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve dhe progresi është i dukshëm sidomos për ata që vijnë nga jashtë vendit.Taylor theksoi se KiE do të mbështesë Shqipërinë për të përmbushur objektivat që ka vënë në kuadër të procesit të integrimit të vendit.“Ju sigurojmë se plani ynë është të punojmë bashkë, sepse këtë që ju po bëni e bëni në radhë të parë për vendin tuaj. Prandaj jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë për të përmbushur standardet dhe objektivat që ju keni vënë”, tha Taylor.Drejtoresha e KiE-së, kërkoi gjithashtu që bashkërisht të bëhen vlerësime të projekteve të zbatuara deri tani për të cilat është ofruar asistencë. Ministrja e Integrimit Evropian,Klajda Gjosha, u shpreh e gatshme për ti realizuar sa më shpejt ato.