Ora e lidershipit të ri në PD
Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013 dhe me certifikimin e njohjes së rezultatit të tyre nga KQZ, një epokë e re ka nisur në historinë e pluralizmit politik te ne. Një postulat i njohur i shkencës së politologjisë na mëson se “Një demokraci e re konfirmohet zyrtarisht si e tillë vetëm atëherë kur e majta dhe e djathta njohin nga dy herë rezultatet e humbjeve. E majta shqiptare e ka pranuar humbjen në vitin 1992 dhe 2005, kurse e djathta shqiptare e ka pranuar disfatën në vitin 1997 dhe 2013. Tashmë mund të thuhet se në fushën e demokracisë parlamentare Shqipëria është maturuar dhe po e kalon me sukses periudhën e tranzicionit. Sfida e së ardhmes për këtë demokraci tani e tutje duhet të jetë konsolidimi i të dy krahëve, të majtë dhe të djathtë të spektrit politik, për të profilizuar më në fund qartë konturet e një politike të re europiane. Është e natyrshme që, në kushtet e modernizimit global botëror, edhe dy partitë më të mëdha në arenë shqiptare, PD dhe PS, në ditët tona kanë nevojë për një reformim të mëtejshëm brenda skemës së tyre politike, një rikonstruksion kapital jo vetëm të programeve, por edhe të njerëzve për t’iu përgjigjur ritmeve të trazuara të një shekulli të ri (shek. XX), i ndryshëm nga ai që ne dhe prindërit tanë jetuam veç një dekadë më parë dhe që kërkon një rinovim total të politikës së deritashme. Qeverisja e dhjetëvjeçarëve që vijnë, ka lëshuar sinjalin “SOS” për shpëtimin nga mbrojtja prej “detit” të korrupsionit dhe mediokritetit të atij, që duhej të ishte “truri intelektual” i një kombi e shteti, i trupit ligjvënës të Shqipërisë dhe i përbërjes së ministrave të qeverisë që miratohet çdo herë prej tij. Në këtë artikull do të kufizohem ndaj temës, duke u përqendruar vetëm te remonti kapital njerëzor që duhet të kryejë Partia Demokratike e Shqipërisë si përgjigje ndaj kërkesave të kohës dhe si reflektim ndaj humbjeve të zgjedhjeve të 2013-s.***Po të studiosh me vëmendje listat e deputetëve që ka pasur në vite Partia Demokratike, konstaton se në çdo legjislaturë të Kuvendit tonë në gjirin e Grupit Parlamentar gërshetoheshin harmonikisht deputetë të të gjitha moshave dhe profesioneve të ndryshme, që u përgjigjeshin si një trajtë adekuate larmisë së krejt elektoratit të djathtë. Në Parlamentin e parë pas 31 marsit të vitit 1991 do të gjejmë në të, krahas Sali Berishës me një karrierë të gjatë profesionale në mjekësi, edhe Azem Hajdarin në një moshë relativisht të re, por që i jepte freskinë betejës së fortë për rrëzimin e regjimit. Pas vitit 1992, rinia ka qenë e pranishme aktivisht në të gjithë administratën qendrore të qeverisjes së djathtë demokratike si një nga përbërësit më të rëndësishëm të vendimmarrjes administrative. Edhe më i madh u bë roli i gjeneratës që u diplomua pas dhjetorit dhe zhvillimet politike që precipituan pas ngjarjeve fatale të vitit 1997. Ishte brezi që u shkollua brenda dhe jashtë Shqipërisë, që mbushi shpesh edhe sheshet e saj, i cili u bë amplifikatori i vokacionit politik të Partisë Demokratike. Jo më kot kryetar i parë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike pas vitit 1997 u zgjodh Nikolin Gjoka, një pedagog i talentuar i Universitetit të Shkodrës që fatkeqësisht nuk jeton më, që e drejtoi atë forum për dy vjet. Edhe disa prej degëve më të rëndësishme të Partisë Demokratike, si për shembull rasti i Gjirokastrës që drejtohej nga Roland Bejko, një pedagog i ri dhe i talentuar, i cili më vonë shkoi për t’u shkolluar në Paris. Por kulmi i kontributit vendimtar të rinisë intelektuale para vitit 2005 në Partinë Demokratike ishte KOP-i, një forum politik brilant në fitoren e 2005-s, që përbehej nga një skuadër intelektualësh të rinj, të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, por që shkëlqyen me ekspertizën e tyre në programin dhe veprimin politik që priu fitoren e madhe. Mendoj se ia vlen që për hir të mosharresës së kontributit historik, që të ripohojmë edhe një herë sot, në kulmin e denigrimit të qëllimshëm, se atëherë “kapiten” i KOP-it ishte Lulzim Basha, një diplomant i Utrehtit, një prej universiteteve më ekselentë të Bashkimit Europian në Holandë, i cili para se të mësojë aty, kishte qenë në gjimnaz një militant i Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Pas një qëndrimi të kompletuar në universitet, i cili përfshin 1 vit mësim gjuhe, plus 4 vjet cikël i ulët universitar, plus master 2 vjet, ai u kthye menjëherë në vitin 1999 në atdheun e tij, pas 7 vjetësh, për t’i shërbyer Partisë Demokratike, por në atë pjesë të atdheut që kishte qenë “Ylli Polar” i saj qysh në dhjetor 1990, që ishte Kosova. Për një militant politik nuk ka rëndësi vendi, por kauza e tij. Për rreth 5 vjet, gati gjysmë dekade, që ka qenë jetike për Kosovën, Lulzim Basha pati karrierën më shpërthyese profesionale nga brezi i tij, duke u bërë “enfant prodige” (fëmijë i mrekullueshëm) i UNMIK-ut. Për rreth tij 1 vit (2004-2005) u fokusua një fluks i plotë intelektualësh nga më joshësit në historinë intelektuale të Partisë Demokratike, që në fushat e tyre të kërkimit shkencor kishin rrezatuar vepra dhe ide. Misioni që ata nisën në shërbim të fitores elektorale të vitit 2005 do mbetej aksion simpatik rrezullues për imazhin e politikës. Ata u kthyen në Shqipëri jo si të ishin të sigurt në fitoren e PD, por se ishin të bindur se duhej të kontribuonin për pastrimin e politikës nga fytyrat sklerotike të saj. Duke u angazhuar me ekspertizë në politikë, ata e bënë më humane atë, i dhanë një aromë të re, duke promovuar një shpirt të ri.***Sigurisht që për çka thamë, për këto novacione të reja një meritë të padiskutueshme ka Lulzim Basha, lideri i KOP-it, por dhe një ndër më të rinjtë në moshë në të. Fytyra e re që prezantoi Partia Demokratike e Shqipërisë në vitin 2005, u pasqyrua me një ndriçim të pazakontë edhe në administratën e re. Me dhjetëra dhe ndoshta me qindra të rinj të shkolluar jashtë, në vende perëndimore, dalëngadalë u thithën jo nga magjia e rrogës ende jo shumë e lartë, por nga fryma e shenjtë e rinimit progresiv të vendlindjes së tyre, që shumë shpejt do të niste ndryshimin e të gjithë organizmit shtetëror, nga gjymtyrët e përtëritura, të cilat do të ishin autostradat e ndërtuara, e deri te performanca e “syve” që ishte urbanistika e qyteteve. Gjatë tetë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike (2005-2013) një peshë të pazëvendësueshme në rimëkëmbjen edhe të kësaj partie pati kjo ardhje universitarësh anglishtfolës me një ose dy nënshtetësi, që futën në Shqipëri kulturën e komunikimit korrekt me publikun, të ndërtimit të opinioneve e të prognozizmit të zhvillimeve të reja. Për të mos e zgjatur po sjell shembullin e një politikani të ri, Gert Bogdani, i diplomuar në New Jork për Shkenca Kompjuterike dhe më vonë zgjidhet deputet e kryetar i Forumit Rinor të kësaj partie. Është po ky njeri që po mbulon marrëdhëniet me jashtë të Partisë Demokratike. Një personalitet që spikati në pak kohë, po ravijëzohet si një politikan shpresëdhënës në harkun e vetëm të pak viteve. Po të vëzhgosh në syrin e një analisti të kujdesshëm e të imët, do dalësh në pohimin interesant për temën që po shqyrtojmë, se disa prej atyre që ishin pjesë e KOP-it, atëherë patën edhe rezultate shumë impresionuese në detyrat e dhëna. Zëvendësministrat Edit Harxhi dhe Roland Bimo ishin ndër zëvendësministrat më të vyer teknikisht gjatë krejt qeverisjes 2005-2013, kurse këshilltarët Petraq Milo dhe Suzana Guxholli menaxhuan me kompetencë koordinimin e një sërë reformash të guximshme. Në demokraci përtëritja e pjesshme dhe periodike e lidershipit është jetike. Së shpejti do bien kambanat e zgjedhjeve të reja lokale për Partinë Demokratike. Si një elitë e politikës shqiptare, ajo ka detyrim historik t’u paraqesë shqiptarëve një ekip drejtues të gatshëm për duel politik (siç bëri realisht me sukses Edi Rama me Partinë Socialiste dhe jo pa vështirësi), por me një vizion të ri e me individë të rinj, që t’i rezistojnë kohës. Asaj kohe të pamëshirshme që i konsumoi shpejt disa qeveri, të cilat e administruan Shqipërinë si vendin e frymorëve dhe jo të njerëzve. Mbi të gjitha është urgjent krijimi i një militantizmi të tipit të ri, i atij militantizmi që ndërthur qëndresën me mençurinë erudite, e cila duhet të orientohet në labirintet e horizonteve politike të llojeve europiane, për ta çuar Partinë Demokratike në një rikthim të shpejtë në timon. Atyre dhjetëra-mijëra studentëve që ka shpurë nëpër shkolla kjo parti, nuk mund t’u dalë më përpara dhe t’u flasë Ridvan Bode me gjithë militantizmin e tij, sepse erozioni i viteve në pushtet ka mbyllur çdo horizont intelektual për të. Atyre mijëra studentëve të diplomuar në universitete të shumta të botës dhe në Shqipëri, që sot aspirojnë për një vend që të mund të kthehen dhe të japin kontributin e tyre (duke kërkuar falje për atë njeri të ndarë nga jeta pak ditë më parë), nuk mund t’u bënte thirrje më as Sokol Olldashi, për të cilin shumë njerëz nëpër rrjete të shumta sociale, më shumë se për vdekjen, pyetën të habitur dhe të zhgënjyer, ndryshe nga politikanët, se ku e gjeti deputeti Sokol Olldashi atë veturë tepër luksoze, e cila kushtonte 125-150 mijë euro?! Rilindja politike e Partisë Demokratike mund të marrë impulse vetëm nga një brez i ri dhe e i pastër, që do të trokasë me idealizëm në derë të politikës dhe kjo derë nuk duhet të pengohet për t’iu hapur. Është brezi i atyre të rinjve, që, krahas angazhimit në strukturat e PD-së, mbaruan shkollat e larta denjësisht, kryen mastera dhe doktoratura dinjitoze, u kthyen nga bota në Shqipëri në institucione prestigjioze dhe iu kthyen politikës jo për përfitime, por për t’i dhënë përgjigje pyetjes së lashtë sa vetë bota: A mund ta ndryshojmë ne vendin tonë? Po u them unë atyre, ju, së bashku me ata që i qëndruan kohës, duke pasur në krye një lidership të plotësuar sa edhe ju, do të mund ta ktheni Partinë Demokratike në “mrekullinë e këtij dhjetëvjeçari” dhe t’i jepni fitoren e merituar që në zgjedhjet e ardhshme lokale.Burimi: panorama.com.al