Koncesionet, Gjiknuri: Merren masa për 29 subjekte

Pezullohet puna në 29 subjekte minerare në Bulqizë deri në plotësimin e kushteve teknike të sigurisë. Ministri i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ka kërkuar që të plotësohen sa më shpejt kushtet e kërkuara ose në të kundërt do ti revokohen lejet minerare. Sipas kreut të Industrisë dhe Energjisë kishte ardhur koha që që shteti të tregonte grushtin e ligjit ndaj të gjithë konçensionarëve që kanë mbyllur sytë dhe nuk kanë zbatuar kontratat në sektorin minerar.“Nga situata problematike me aktivitetin minerar në zonën e Bulqizës një muaj më parë urdhërova ngritjen e një grupi pune për kontrollin e një gjithë koncesioneve në zonën e Bulqizës që është një zonë shumë problematike e cila ka marrë jetë njerëzish dhe ka qënë një gangrenë e industrisë minerare.  Grupi i kontrollit ka nxjerrë konkluzionet  dhe unë si ministër kam marrë masat përkatëse.  Kontrolli u krye në 39 subjekte përfshirë edhe koncesionarin kryesor ACR dhe uzhvilluar në një periudhë një mujore. Pasi u njoha me rezultatet kërkova pezullimin e pjesshëm i punimeve në shfrytëzimin e rezervave minerare, në zonën koncesionare të kompanisë Albchrome deri në realizimin e detyrimeve” tha Gjiknuri.Ndërkohë ministri Gjiknuri theksoi se për arsye të mosrepsektimit të kushteve janë revokuar plotësisht 5 leje minerare dhe janë revokuar pjesërisht 5 të tjera.  Ai shtoi se në të gjitha subjektet ku janë konstatuar shkelje u janë vënë kushte që duhet të plotësohen në të kundërt do të bëhet revokim i plotë.“Për arsye të mos respektimit të kushteve të përcaktuara në lejet minerare pezullohen në shfrytëzimin e rezervave minerare 17 leje me afat të pacaktuar, deri në realizimin e detyrimeve të përcaktuara nga grupi i kontrollit.  Revokohen 5 leje plotësisht për shkak të zhvillimit të aktivitetit minerar në zonën e rrezikshme dhe për shkak të përfundimit të aktivitetit minerar.  Revokohen pjesërisht 5 leje minerare për përdorim të pjesshëm të sipërfaqes së mineralit në zonë të rrezikshme. Për këto leje do të rikoordinohet trupi minerar për tu shfrytëzuar.  Pezullohen leja e subjektit të licencuar për lëndët plasëse, deri sa të krijojë kushtet teknike për administrimin dhe mbajtjen e tyre” shtoi Gjiknuri.Në lidhje me protestën e minatorëve në Bulqizë, Ministri Gjiknuri deklaroi se çdo administrator që nxit punonjësit që të ndalojë masat e marra nga shteti kryen një vepër penale dhe nadj tyre do të merren masa sipas ligjit.“Grupe të ndryshme po luajne me jetën e njerëzve,  më parë nuk u kanë krijuar asnjë kusht, ndërkohë që shfrytëzojnë nevojën e tyre për punë dhe i nxisin të hyjnë në grevë urie” tha Gjiknuri, duke shtuar se institucioni që ai drejton ka  si qëllim rritjen e industrisë minerare, por edhe sigurimin e jetës se njerëzve që punojnë në këtë industri.