Rikonstruktohet kopshti nr.20, Bashkia e Tiranës instalon sistemin e ngrohjes

Prej dy vitesh Bashkia e Tiranës me prioritet ka filluar investimet në sistemin e ngrohjes në kopshte dhe çerdhe. Për vite me radhe fëmijët ngroheshin në ambientet e kopshteve dhe çerdheve me mjetet rrethanore dhe të rrezikshme për jetën e tyre. Ky realitet po ndryshon çdo ditë dhe së bashku me sistemin e ngrohjes kopshtet dhe çerdhet i janë nënshtruar rindërtimit dhe rikonstruksionit për të krijuar kushte sa më optimale për fëmijët e kryeqytetit. Një ndër kopshtet që ka ndryshuar tërësisht kushte është edhe ai me numër 20.160 fëmijët që frekuentojnë këtë kopsht nga sot do të kenë ambiente komode, të rehatshme dhe të ngrohta. Falë një investimi të Bashkisë së Tiranës, prej 3 milionë lekësh (të reja), është kryer rikonstruksioni i tij, si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes me peleta.Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë Nevila Xhindi, e ka parë nga afër përfundimin e punimeve në këtë kopsht, i ndryshuar tërësisht nga gjendja e tij e mëparshme.“Faleminderit që jeni këtu sot për të dëshmuar një punë shumë të mirë të Bashkisë së Tiranës bërë në kopshtin nr. 20, i cili në fakt është vetëm njëri nga rrjeti i pesë kopshteve që Bashkia e Tiranës me një fond prej 29 milionësh (të reja), ka instaluar sistemin  e ngrohjes, për t’u garantuar një dimër të ngrohtë vogëlushëve të kryeqytetit. Krahas sistemit të ngrohjes, në këtë kopsht është kryer dhe rikonstruksioni i pjesshëm duke e bërë më komod qëndrimin për rreth 160 fëmijët që e frekuentojnë atë.Ngrohja me peleta që po implementon Bashkia e Tiranës, specialistët më thonë që është një ndër mundësitë inovatore për të ngrohur dhe me kosto të ulët. Kopshti do të ketë ngrohje gjithë kohën, kjo është një lehtësi shumë e madhe për fëmijët që të kenë mundësi të rrinë rehat në kopsht, por edhe familjet. Unë si nënë e ndjej shumë të mirë këtë gjë, sepse të jesh e qetë për fëmijën që frekuenton kopshtet apo çerdhet publike, është gjë shumë e mirë. Përveç instalimit të sistemit të ngrohjes janë bërë edhe disa investime të tjera. Është rregulluar furnizimi me ujë, sot ka rreth pesë mijë litra ujë që mund të jenë të konsumueshme në ditë. Është bërë një instalim i mbrojtjes kundra zjarrit, për herë të parë, që është pjesë e standardeve europiane nëpër institucionet arsimore. Janë bërë shkallët e brendshme, është bërë lyerje, është bërë sistemimi i gjithë këtij mjedisi kaq të bukur që ju shikoni dhe ju jeni dëshmitarët sot për të thënë që ky mjedis është kaq i mirë”-deklaroi Xhindi.Kopshti numër 20 në njësinë bashkiake numër 3, është pjesë  e projektimit “Instalimi i sistemit të ngrohjes në 5 kopshte” me një vlerë prej  29 milionë lekë, ky projekt shtrihet edhe në kopshtet 2,  6, 38 dhe 39.