Ish-deputeti i PD “merr” NATO-n, Leonard Demi në vend të Artur Kukos në Bruksel
Leonard Demi dhe Ilir Gjoni, respektivisht ish-deputetë të PD dhe PS, mund të kenë humbur mundësinë për të përfaqësuar popullin në politikë, por kanë siguruar mbështetjen e mazhorancës dhe opozitës për një vend në diplomaci.Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka tejkaluar dallimet partiake dhe ka zgjedhur ish-kreun e Komisionit të Sigurisë, Demi, për të përfaqësuar Shqipërinë në NATO dhe ish-nënkryetarin e këtij Komisioni, Gjoni, si ambasador të Shqipërisë në Zvicër.Në unison, opozita dhe mazhoranca në Komision kanë dhënë mbështetjen për kandidatët.Pas mbledhjes, Ministri Ditmir Bushati paralajmëroi lëvizje të tjera për një shërbim më cilësor diplomatik.Artur Kuko, që deri më tani ka mbajtur postin e Ambasadorit tonë në NATO, propozohet nga Ministria e Jashtme si Ambasador në Gjermani, një vend tejet i rëndësishëm për marrëdhëniet me Shqipërinë.Adriana Hodbari është propozuar si përfaqësuesja jonë në Strasburg. Një tjetër emër i njohur i diplomacisë, Roland Bimo, është propozuar si Ambasadori ynë në Vjenë.