Përurohet rruga “Bajram Çela”, Bozdo: Bashkia Tiranë i kthen premtimet në vepra

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo,  ka përuruar sot rrugën “Bajram Çela” në njësinë bashkiake nr.3. Një investim i Bashkisë Tiranë që kap vlerën prej 60 milion lekësh do të jetë në shërbim të një komuniteti prej më shumë se 100 familjeve.Në fjalën e tij Bozdo deklaroi se përfundimi i rrugës, e cila ishte lënë në harresë prej vitesh, është prova më e mirë që Bashkia e Tiranës i shërben qytetarëve të saj me punë dhe vepra.“Sot përurojmë rrugën “Bajram Çela”, një rrugë rreth 150 metra e gjatë. Një investim i Bashkisë Tiranë, siç e shikoni është sjellë në parametra mëse të lavdërueshëm të saj. Me një projekt të plotë që ka përfshirë investimin për ujërat e bardha, investimi për ujësjellësin, investim të plotë për ujërat e zeza, sinjalistika dhe ndriçimi, ka qenë një rrugë e cila është kërkuar me ngulmë nga komuniteti i kësaj minibashkie, dikur në gjendje të mjerueshme, sot, kjo rrugë i shërben më shumë se 100 familjeve, dhe është, edhe njëherë treguesi dhe prova e përkushtimit të Bashkisë Tiranë ndaj komunitetit të qytetit tonë. Jo vetëm kaq, por ne do të vazhdojmë, me programin tonë ambicioz për të investuar në çdo rrugë, në çdo rrugicë, dytësore apo tretësore në qytetin e Tiranës. Në mënyrë që të përmirësojmë kualitetin e jetës së qytetarëve të Tiranës, por gjithashtu edhe të mbajmë premtimin tonë për një qytet dhe një Tiranë Europiane”- u shpreh Nënkryetari Bozdo.Rruga ka të gjithë infrastrukturën e domosdoshme atë mbi dhe nëntokësorë, me ndriçim, ujësjellës dhe kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza.