Meta: Marrim statusin në dhjetor. Politika show mediatik para kamerave në Kuvend

Në vazhdimësinë e praktivave të vazhdueshme të hapjes së dyerve të Kuvendit për të rinjtë, kryeparlamentari Ilir Meta ka pritur në sallën e Kuvendit një grup gjimnazistësh nga shkollat e mesme të vendit. E konceptuar si një interpelancë, Meta u është përgjigjur pyetjeve të gjimnazistëve. Në një rrëfim të sinqertë para tyre, kreu i Kuvendit nuk ka fshehur frikën për votimin e dhjetorit për statusin, duke e lidhur me mënyrën sesi proçedohet në votim.“Mendoj se janë të gjitha mundësitë, tre kushtet tashmë janë të realizuara me votimin që u realizua këtu para zgjedhjeve të 23 qershorit. Zgjedhjet ishin një moment kyç që u vlerësua mjaft pozitivisht nga komiteti ndërkombëtar. Rekomandimi i KE për KiE për vendet anëtare është pozitiv, edhe sot është publikuar një mesazh i Komisionerit Stefan Fule drejtuar të githë vendeve anëtare për të mbështetur dhënien e statusit kandidat, shpresojmë dhe besojmë që kjo do të ndodhë. Duhet të kemi një gjë parasysh, nuk kemi të bëjmë thjesht me një votim me shumicë apo pakicë siç ndodh këtu, por kërkon një konsensus dhe një votë pro nga të gjitha vendet anëtare. Do mjaftonte dhe një hezitim, qoftë dhe i një vendi të vetëm sado modest që të jetë, që kjo të mos ndodhte. Por nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të mos e fitojë statusin kandidat në muajin dhjetor përpara Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri” tha ai.Kreu i Kuvendit, njëherësh dhe kryetar i LSI ka informuar të rinjtë edhe lidhur me bashkëpunimet e frytshme të mazhorancës dhe opozitës. Mes batudash, Meta tregoi dhe shkakun se pse Kuvendi jo rrallë karakterizohet nga tensione mes palëve.“Për herë të parë kemi në Kuvend në Aleancën e grave deputeteve, në krye të së cilës është deputetja opozitare Mesila Doda. Një gjë tjetërqë dua të theksoj është që Komisioni i Ligjeve që drejtohet nga Fatmir Xhafa dhe Komisioni i Çështjeve Sociale që drejtohet nga Albana Vokshi, kanë bërë një punë shembullore lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit të Kuvendit për të drejtat e fëmijëve. Kemi miratuar një rezolutë me konsensus. Kemi dhe shumë momente të tjera pozitive të bashkëpunimit mazhorancë -opozitë dhe kam besim që sikur mos të ketë kamera në parlament këtu do ketë mirëkuptim të jashtëzakonshëm. Kur vinë kamerat e orientojnë më shumë tek kamerat dhe tek ajo që do të dëgjonin përkrahësit e njërës apo tjetrës parti, sesa tek bindjet e vetë deputetëve. Por po ecim në një rrugë gjithnjë e më pozitive, ky është mesazhi që japin edhe qytetarët tanë vazhdimisht të cilët kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre dhe jo shtim të tyre” u shpreh Meta.