Maqedonia, flamur të ri që reflekton karakterin shumetnik
Partia opozitare VMRO-Popullore e udhëhequr nga ish-kryeministri Lubço Georgievski ka propozuar inicimin e procedurës për dizajnimin e një flamuri të ri të shtetit, të pranueshëm për të gjithë qytetarët e vendit.Kërkesa vjen pas festimeve të 28 Nëntorit dhe problemit sipas VMRO-PP, të vazhdueshëm me përdorimin e flamurit shqiptar, që në ditë si kjo merr përmasa masive.Partia e ish-kryeministrit thotë se në manifestimet kombëtare shqiptare, MPB dhe Qeveria nuk arrijnë të sigurojnë, siç thotë, zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Flamujve, ndaj propozon dy zgjidhje.“Qeveria t’i propozojë Kuvendit ndryshimin e Ligjit për Përdorimin e Flamujve dhe të legalizojë me ligj këto manifestime në terren; dhe dy, për zgjidhjen e këtij problemi të hidhur të ngrihet procedurë për adoptimin e një flamuri të ri të Republikës së Maqedonisë. Propozojmë një debat të gjerë me pjesëmarrjen e të gjitha bashkësive etnike”, thotë deklarata e VMRO-PP.Partia thekson se zbatimi i ligjit aktual për flamujt, mund të çojë në përshkallëzimin e tensioneve ndëretnike.