Salustro çon ankesë në Gjykatën supreme ndaj Limajt

Prokurori i EULEX'it, Maurizio Salustro, ka depozituar sot në Gjykatën Supreme të Kosovës një ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për lirimin e Fatmir Limajt dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij nga akuzat për krime lufte në rastin "Kleçka".Salustro ka bërë këtë ankesë për shkak të "përcaktimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike". Prokurori pretendon në ankesë se vendimi i Gjykatës Themelore kishte mangësi "duke shkelur procedurën penale dhe vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike".Sa i përket shkeljes procedurale, Prokurori mendon që Gjykata Themelore ka bërë "disa gabime ligjore dhe shkelje substanciale të dispozitave të procedurës penale".Duke përshkruar "gabimin në vërtetimin e gjendjes faktike", Prokurori i EULEX'it radhit pesë rastet ku Aktgjykimi i Gjykatës Themelore kishte "konkluduar gabimisht se dëshmia e Agim Zogajt nuk është e besueshme".Limaj është shpallur i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës bashkë me nëntë bashkëluftëtarët e tij, më 17 shtator nga një trup gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.Por, një javë më vonë, Salustro kishte paralajmëruar se do të bëjë ankesë në Gjykatën Supreme ndaj këtij vendimi.