Incidentet ndaj shqiptarëve në Maqedoni, Jankullovska:Po punohet për zbardhjen e tyre

Ministrja e Brendshme në Maqedoni Gordana Jankullovska pas shumë kohësh ka folur për moszbardhjen e shumicës së incidenteve ku viktima janë shqiptarët.Megjithëse nuk pranoi se puna e autoriteteve maqedonase ndikohet edhe nga përcaktimet etnike,  Jankullovska thotë se angazhimi i policisë për zbardhjen e rasteve mbetet i lartë."Ka një numër incidentesh rreth të cilave ende punojmë, por ne nuk heqim dorë nga asnjë rast, deri sa të nxjerrim autorët para drejtësisë, përkushtimi ynë dhe energjia për zbardhjen e rasteve është e njëjtë si ditën e parë", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.Pavarësisht incidenteve të njëpasnjëshme në rrugët e Shkupit dhe autobusët , Ministrja e brendshme në maqedoni thotë se policia me sukses po kryen detyrën e saj, dhe se masat e veçanta për parandalimin e incidenteve tashmë kanë filluar të japin fryte."Nuk pajtohem se masat e Ministrisë së Brendshme nuk japin frytet e saj, përkundrazi, të gjitha masat dhe aktivitetet të cilat janë ndërmarrë tanimë po japin rezultate e tyre, dhe mbi 150 persona janë sanksionuar për pjesëmarrje në incidente", u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.Ndërkohë edhe këtë javë kanë vazhduar incidentet rrugëve të Shkupit në disa raste të ndara, duke rezultuar me lëndime të rënda për disa të rinj. Ndër ta në gjendje më të rëndë është një 19 vjeçar nga Shkupi, i cili vazhdon të jetë në gjendje  kome si pasojë e lëndimeve në kokë.