Arrestimi i të dënuarve në Kostur, Ministri grek: Përforcim të kufirit me Shqipërinë
Ministri grek i Rendit Publik dhe Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Dendias, ka kërkuar përforcimin e kufirit me Shqipërinë. Ndërsa ka inspektuar zonën e kufirit greko- shqiptar në Kostur, ku vetëm një ditë më parë u arrestuan 3 shqiptarët e arratisur nga burgu i Drenovës, Dendias tha se për të shtuar sigurinë, shumë shpejt përgjatë kufirit do të instalohet një sistem i integruar kamerash për menaxhimin e kufirit.Gjatë takimit me punonjësit e policisë, Ministri i ka përgëzuar për punën e bërë në arrestimin e tre të dënuarve shqiptarë, ndërsa ka premtuar se do të pajisë menjëherë Komisariatin me automjete dhe mjete të tjera ndihme.
“Unë do të doja që në emër të kryeministrit Antonis Samaras dhe në emër të Qeverisë të uroj punonjësit e policisë që u përfshinë në një aksion të rrezikshëm për kapjen të arratisurve shqiptarë. Unë mendoj se policët kanë treguar në mënyrë të qartë që se çfarë ofron dhe përfaqëson policia greke, në përpjekjen e saj për të mbrojtur jetën, pronën, dinjitetin e qytetarëve greke.”- tha Dendias, i cili e cilësoi një sukses të policisë greke kapjen e të arratisurve shqiptarë.