Presheva, Bujanoci e Medvegja mes festës dhe kërkimit të të drejtave
Lugina e Preshevës i është bashkuar festimeve për 101 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Ditën e Flamurit. Në Preshevë, Bujanoc dhe vendbanimet e tjera janë shpalosur flamujt kombëtar. Para komunave sot është mbajtur edhe një protestë e qetë paqësore kundër diskriminimit nga ana e pushtetit serb ndaj këtyre komunave, por edhe është bërë thirrje për zgjidhjen e çështjes shqiptare në këtë rajon.“Ne, këshilltarët shqiptarë të Kuvendit Komunal të Bujanocit, ngrisim fuqishëm zërin tonë të protestës ndaj diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve në përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar. Kërkojmë me urgjencë nga të gjitha instancat relevante vendore dhe ndërkombëtare që me seriozitetin më të lartë të shqyrtojnë kërkesën e faktorit politik shqiptarë të Luginës që simboli ynë kombëtar të përdoret i papenguar në të gjitha institucionet dhe që kjo çështje të rregullohet me Ligj”, theksohet në komunikatën e këshillit komunal të Bujanocit.Nga ana tjetër edhe në komunën e Preshevës është mbajtur një protestë e tillë paqësore, me mesazhe për zgjidhjen e çështjes shqiptare në këtë zonë.Në kërkesën e Këshilli komunal të Preshevës bëhet thirrje për miratimin e të gjitha kërkesave të palës shqiptare nga ana e Qeverisë së Serbisë si parakusht për vazhdimin e bisedimeve të mëtejme për zgjidhjen e problemeve në Luginë të Preshevës.Edhe shqiptarët në Mevgjedë përmes manifestimeve letrare nëpër shkolla shënuan 28 Nëntorin- Ditën e Flamurit.