Zgjedhjet e së dielës, Thaçi: Bashkëpunim me liderët serbë në veri
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur bindjen se edhe në balotazhin e 1 dhjetorit, do të dërgojnë një mesazh të qartë te bashkësia ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve tranparente, të lira dhe demokratike nga ana e Institucioneve të Kosovës. Kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka falënderuar gjithë spektrin politik në vend për fushatë të qetë dhe të konkurrencës.Kryeministri Thaçi ka shtuar se raundi i parë ka qenë një fushatë e mirë, ka qenë një pjesëmarrje e vlerësuar e qytetarëve, një fushatë dhe organizim i zgjedhjeve të një standardi të lartë, që është vlerësuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe se kemi kaluar një sprovë të rëndësishme evropiane për vetveten dhe shtetin e Kosovës.“Unë edhe një herë uroj gjithë fituesit e raundit të parë, ndërsa ftoj gjithashtu spektrin politik që të vazhdojnë edhe sot me fushatë fer, të konkurrencës, ndërsa me besim të plotë flas se edhe zgjedhjet e 1 dhjetorit do të jenë të standardit me të lartë, zgjedhje të mirëfillta elektorale me një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, e në të njëjtën kohë kam besim se të gjithë do të respektojnë verdiktin qytetarë. Shpresoj që Kosova do të dërgoj mesazhin më të mirë të mundshëm për bashkësinë ndërkombëtare, do të dërgojë mesazhin me të mirë nga spektri politik dhe qytetarë, gjithë etnik, për organizimin e zgjedhjeve të standardeve me të lartë”, ka thënë Thaçi.Numri një i Qeverisë, ka shprehur besimin se edhe në veri të vendit do të shkojë mirë procesi zgjedhor me një pjesëmarrje të madhe të serbëve në zgjedhje. Thaçi tha se këtu do të luajnë rol të madh për sigurinë edhe PK-ja, EULEX-i dhe KFOR-i, dhe janë duke u koordinua mirë që ky proces të kaloj me së miri.“Pra nga një dhjetori do të kemi liderët legjitim edhe në veri të Kosovës dhe do të vlerësohen nga ana jonë si zgjedhje legale dhe legjitime sepse të tilla janë. Do të një jetë të re edhe për veriun e me liderë legjitim dhe me agjendë të përbashkët, dhe qeveria do të bashkëpunoj me liderët e ardhshëm dhe do të investojmë edhe në planin socio-ekonomik për të ndryshuar jetën e qytetarëve atje për të mirë. Duhen investime ekonomike, duhen vende të reja të punës, rritje të mirëqenies sociale dhe respektim të rendit dhe ligjit dhe zbatimit të marrëveshjes në 19 prillit për funksionimin e rendit dhe ligjit, sistemit unik doganor dhe sistemin e drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës”, është shprehur Thaçi.Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka ngritur çështjen e ruajtjes së objekteve të institucioneve të Kosovës nga Policia e Kosovës, duke kërkuar që kjo të bëhet nga kompanitë e sigurimit, ose në ndonjë mënyrë tjetër, pasi po u kushton shumë dhe Policia ka objektiva tjera.Edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku ka njoftuar kabinetin qeveritar se nga data 2 deri me 6 dhjetor do të vijë në Kosovë misioni i Komisionit Evropian për vlerësimin e tri nga pesë blloqet për liberalizimin e vizave. Ajo bëri më dije se misioni nuk do të takohet më ministra, por me shërbyesit civil, me nivelin komunal, vizita në teren, do të vizitohen disa pika kufitare, po ashtu do të ketë takime me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Ndërsa, në fund të dhjetorit presin misionet vlerësuese edhe për dy blloqet tjera.