Xhindi: Shumëllojshmëri aktivitetesh sot në Tiranë
Me rastin e festave kombëtare, pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të Atdheut, Bashkia e Tiranës ka organizuar sot një sërë aktivitetesh në parkun “Rinia”. Aktivitete janë servirur për të gjitha moshat, por kryesisht fëmijët kanë qenë ata të cilët kanë shijuar aktivitetet e Bashkisë, si animime të ndryshme, këngë, valle, piktura, ku ata kanë mundësi të shfaqin talentin e tyre përmes penelit.Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi gjatë pjesëmarrjes në këto aktivitete ka uruar të gjithë shqiptarët për këtë festë. “Sot është vërtet një ditë feste në Tiranë. Në emër të Bashkisë së Tiranës, unë i uroj të gjithëve “Gëzuar festën!” dhe në veçanti atyre që sonte, mbase për arsye të moshës nuk e ndjekin dot koncertin live ose për arsye të tjera. Sot, Bashkia e Tiranës ka menduar të targetojë të gjitha moshat. Aktivitetet kanë filluar që në orën 11.00 dhe do të vazhdojnë deri në orën 14.00. Unë ju bëj një thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës, që të jenë këtu me mua sot në shesh. Këtu ka aktivitete, ka aktivitete për fëmijët, për të pikturuar, ka aktivitete tek “Pedonalia”, banda në këtë kohë që ne flasim po performon pjesët e saj dhe do të jetë një ditë shumë aktive, deri në darkë. I gjithë qyteti do të jetë në festë. Edhe njëherë, unë uroj një festë të mbarë, për të gjithë ne!” u shpreh nënkryetarja Xhindi.Në parkun “Rinia” janë performuar valle të të gjitha krahinave, janë hapur ekspozita fotografike me momentet më të rëndësishme historike të festimeve të kësaj dite në Tiranë dhe momente të tjera të rëndësishme ndër vite, të lidhura me këtë ditë të shënuar.