Pritje për Ditën e Falenderimeve, Arvizu përcjell urimin e Obamës për Pavarësinë

Ashtu siç e do tradita amerikane, me rastin e Ditës së Falenderimeve e cila festohet çdo vit të enjten e fundit të nëntorit, President i Republikës Bujar Nishani ka shtruar një darkë në nderim të kësaj feste për amerikanët.Kreu i Shtetit së bashku me Ambasadorin e SHBA ne Tiranë, Aleksandër Arvizu, kanë mbajtur një fjalim përpara të ftuarve në Pallatin e Brigadave. Duke falenderuar të gjithë të ftuarit, Nishani u shpreh se Dita e Falenderimeve nuk është vetëm festa e Amerikanëve, por e të gjithë njerëzimit, pasi është një ditë e shënuar e cila nxjerr në pah vlerat humane.“Dita e Falenderimeve, si festë me përmbajte thellësisht humane është festë e të gjithë njerëzve, pavarësisht nga vendi, besimi, statusi shoqëror, dhe të tjera rrethana.Por më së pari dhe më së shumti, Dita e Falenderimeve është festë e atyre që ndiejnë më tepër, atyre që kanë një zemër të butë, një shpirt të ndjeshëm, një mendje të kthjellët. E atyre pra, që si të tillë, e kanë të qartë se fukarai duhet ndihmuar, hallexhiut i duhet qëndruar pranë, se në fund të fundit të gjithë njerëzit janë fondamentalisht të njëllojtë dhe ndryshimet mes tyre janë tepër relative.Vështirë se ka brenda marrëdhënieve njerëzore diçka që të jetë më penguese, më dëshpëruese dhe më kobndjellëse se mosmirënjohja.Zor të imagjinohet ndonjë gjë që të jetë më shpresëdhënëse, më qetësuese dhe më paqendjellëse se mirënjohja apo falenderimi që evokojmë sot.Mirënjohja, kjo cilësi e shpirtrave fisnikë, është ajo që, jo vetëm s’duhet ta harrojmë por patjetër, në çdo rast dhe me çdo kusht ta aplikojmë.Mirënjohje mund të kemi, dhe e kemi, por duhet edhe ta shprehim. Kjo festë është rasti që na jepet për ta shprehur”tha Nishani.Ndërkohë ambasadori Arvizu duke falenderuar Presidentin Nishani, u shpreh se për amerikanët kjo është një ditë e mbushur me shpresë dhe mirënjohje.“Çdo vit amerikanët udhëtojnë nga e gjithë bota që të jenë në këtë ditë të shënuar pranë familjeve të tyre, pasi është një ditë falenderimi dhe mirënjohje. Me rastin e kësaj dite, falenderoj shtetin shqiptar për një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi”tha ai.Përveç kësaj ambasadori Arvizu ka lexuar edhe letrën e Presidentit të SHBA-së, Barack Obama drejtuar Kreut të Shtetit Shqiptar, Bujar Nishani me rastin e 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë për vendin tonë.“Si partner krenar dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkohen Ju dhe popullit shqiptar në festimin e Ditës së Pavarësisë në 28 nëntor. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta. Pres që të vazhdojmë dhe ta fuqizojmë marrëdhënien tonë në të ardhmen dhe ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike”.Nderkohë, kreu i shtetit Nishani me rastin e 101 vjetorit të pavarësisë ka marrë mesazhe urime nga homologët e tij nga Europa.