Veliaj: Të qetë, por jo më të pastër. Të bëhemi 100 000 vullnetarë në 22 nëntor

U gdhimë më të qetë, por jo më të pastër. Me këtë konstatim ju drejtua opinionit publik, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, pas vendimit refuzues të qeverisë për armët kimike, për të cilin nuk nguroi të rideklarojë se Kryeministri mori një vendim të drejtë në respekt të aleatëve por mbi të gjitha në interes të popullit të tij.“Jam shumë i lumtur që u mor një vendim i drejtë dhe Kryeministri dje mori një vendim të drejtë. Një vendim i cili respektoi marrëdhënien korrekte në të gjithë negociatat me partnerin tonë, një vendim që në fund fare vendosi për interesat e qytetarëve” tha ai.Por lehtësimi nga kjo barrë, për Ministrin Veliaj nuk mjafton për tu ndjerë rehat me 31 hot spote aktive në Shqipëri, të cilat kanë marrë jo pak jetë njerëzish. Por nëse për këto Shqipëria është e dorëzuar për mungesë buxheti, patrimi i plehrave të shkaktuara nga vetë ne që kanë pushtuar territorin nuk është një mision i mundur. E në këtë mënyrë ai ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë, veçanërisht ata që u mobilizuan fuqishëm kundër armëve kimike, ti bashkohen nismës “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, të premten e 22 nëntorit.“Por kjo nuk mjafton, morëm një shembull fantastik nga një aktivizim qytetar, aktivizim në rrjetet sociale, nga ndërgjegjësimi mjedisor që ndodhi. Shqipëria sot mund të jetë gdhirë më e qetë dhe e sqaruar, por jo më e pastër. Sot ende i kemi 31 hot spote që janë aktive në Shqipëri dhe shkaktojnë sëmundje në mënyrë konstante dhe në 23 vitet e fundit shumë njerëz kanë humbur jetën e tyre. E ndonëse pastrimi i hot spoteve është një operacion i kushtueshëm, pastrimi i plehrave të rëndomta që i shkaktojmë vetë është një mision i mundur. Kjo është arsyeja se pse sot duam tu bëjmë ftesë çdo qytetari shqiptar, atyre që priten me ankth vendimin e djeshëm, atyre që protestuan gjatë gjithë këtyre ditëve, atyre që ndërgjegjësuan njerëz në rrjetet sociale, atyre që për herë të parë vendosën standardet e një proteste ku qeveria nuk e rreh popullin e vet, por pajtohet me popullin e vet. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike të bashkohen me fushatën “Të pastrojmë Shqipërinë për një ditë”. Ky është një vendimi që Ministria , por në radhë të parë qeveria jonë e ka marrë për të qenë pjesëe një fushate që do të pastrojë me të gjithë fuqinë vullnetare që ka qytetaria shqiptare Shqipërinë me datën 22 nëntor, ditën e premte. Mjafton të shikosh sot plazhet e Shqipërisë dhe gjendjen e mjerueshme të tyre, mjafton sot të jesh një turist që hyn dhe del nga Shqipëria në pikat kufitare ku është përballja e parë me vendin tonë për të parë sesa e ndotur është mikpritja jonë që në hapin e parë që dikush e kalon kufirin. Mjafton të shikojmë mënyrën si janë katandisur pyjet tona, kalatë, kështjellat dhe gjithë pikat tona turistike apo ato të trashëgimisë kulturore për të kuptuar që tani duhet të kalojmë nga fjalët tek veprat” deklaroi Veliaj.Ministri Veliaj e ka vlerësuar si një rast të mirë për të shfrytëzuar edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve në këtë fushatë pastrimi, në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit.“Ashtu siç Shqipëria ishte në vëmendjen e ndërkombëtarëve gjatë gjithë kësaj jave dhe sidomos ditën e djeshme kemi një shans për të përdorur këtë vëmendje ndërkombëtare me datën 22 nëntor për të treguar se 100 000 shqiptarë mund të dalin dhe të pastrojnë shtëpinë e tyre me forca vullnetare dhe duke mobilizuar të gjithë këtë energji dhe gjithë këtë sensibilizm që shkaktoi ky debat për çështjen e lëndëve kimike në Shqipëri. Ne jemi mobilizuar si Ministri, ju kërkojmë të gjitha institucioneve, sidomos atyre në varësi të kësaj Ministrie dhe pse në ditët në vijim do të përfshihen edhe Ministri të tjera, ajo e Mbrojtjes, Transportit, e Arsimit. Por për ata që nuk janë përfshirë në institucione, zgjidhni ju vendin ku do të pastroni. E rëndësishme është që me 22 nëntor të kryejmë misionin tonë dhe të kemi 100 000 shqiptarë, të angazhohemi në një fushatë të jashtëzakonshme pastrimi që është shërbimi më i mirë që mund ti bëni imazhit të Shqipërisë” tha më tej ai.Të gjitha mbeturinat e grumbulluara destinacion përfundimtar do ta kenë në landfillet e vendit, paçka që disa nuk janë në gjendje shumë të mirë dhe për këtë Veliaj e ka një arsyetim.“Për këtë aksion ne do përdorim të njëjtat landfille që janë zyrtarizuar në Shqipëri, që përdorin bashkitë dhe komunat, disa janë në gjendje më të mirë disa më të keqe, por unë besoj që plehrat më mirë të jenë aty sesa në gjithë pikat kufitare apo plazhet tona. Po hartohet buxheti i vitit tjetër dhe një nga gjërat që është insistuar është të investohet më shumë në landfille dhe ka qenë kërkesë e Ministrit të Mjedisit”.I pyetur se ku do te jëtë vetë personalisht, Ministri Veliaj u përgjigj:“Unë personalisht do jem në Gjirokastër ku kam privilegjin të jem deputet, bashkë me studentët do ti bashkohem atij aksioni kryesisht për pjesët turistike siç është kalaja dhe pjesës kufitare siç është dogana e Kakavijës. Secili duhet të bëjë pjesën e tij, ajo që kërkojmë nga deputetetë është që secili të jetë në zonën e tij të kontribuojë në fushatën atje. Nëse secili bën të veten ne do arrijmë të pastrojmë mbeturinat që ne vetë i kemi bërë” përfundoi Veliaj.