DASH: Vendimi i Shqipërisë nuk ndikon në marrëdhëniet me SHBA

Përgjigjia negative e Shqipërisë nuk do të ndikojë në marrËdhëniet me Uashingtonin. Kjo është garancia që ka dhënë zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jen Psaki, menjëherë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi përgjigjen e Tiranës zyrtare ndaj kërkesës së SHBA për shkatërrimin e armëve kimike në vendin tonë. Pyetjes se a do të ndikojë ky qëndrim në marëdhëniet mes dy vendeve, zëdhënësja Jen Psaki iu përgjigj:

 “Jo. Nuk do të ketë asnjë ndikim. Ne vlerësojmë  faktin që Shqipëria e konsideroi  seriziosht mundësinë për të pranuar shkatërrimin e armëve kimike. Edi Rama tha se komuniteti ndërkombëtar vijon të diskutojë rrugët më efektive për shkatërrimin e armëve kimike. Ka një numër vendesh më të cilët komuniteti ndërkombëtar po bisedon  dhe çdo vend duhet të vendosë si mund të ndihmojë dhe asistojë në proçes”.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk ka folur për zhgënjim dhe nuk ka qënë në një linjë me ambasadorin Aleksandër Arvizu. Pa komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Uashingtonit në Tiranë, Psaki theksoi:

"Po e përsëris që në e vlerësojmë faktin që Shqipëria e konsideroi seriozisht mundësinë për tu përfshirë ne proçes".

Edhe Ambasada amerikane ne Tirane reagoi përmes një deklarate duke theksuar:

"E respektojmë vendimin e Kryeministrit.  Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që Qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurtë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë. Ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike."

Më tej në deklaratë Ambasada e amerikane deklaron se do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët për të siguruar eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë dhe se ky proçes do të realizohet brenda afatit për të cilin është rënë dakord.