Policia serbe arreston shqiptarin e kërkuar nga Interpoli

Policia serbe ka arrestuar biznesmenin Astrit Limani, i njohur ndryshe si Titi i Ukës. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës bënë me dije se, 41-vjeçari është prangosur dje nga Interpol Serbia në pikën e kalimit kufitar Merdarë.Mësohet se Limani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Milanos me 15 vjet burg në mungesë për organizim e trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe evazion fiskal.Pavarësisht kërkimeve nga Interpoli, ai qëndronte lirisht në Shqipëri ku zhvillonte aktivitetin e tij si biznesmen, pronar i një kompleksi turistik të njohur në bregdetin e Shëngjinit.Policia e Lezhës pas informacioneve të marra nga Interpoli bëri identifikimin dhe lokalizimin e tij dhe të enjten bëri shpalljen në kërkim të 41-vjeçarit.Ndërkohë, burimet e mësipërme sqarojnë se Astrit Limani është larguar nga Shqipëria 8-9 orë para se të shpallej në kërkim nga blutë e Lezhës.Pritet që policia serbe të ekstradojë Limanin drejt Shqipërisë dhe pas kryerjes së procedurave ai do të ekstradohet drejt Italisë.Limani është një biznesmen i njohur në zonën e Lezhës, i cili ka financuar edhe fushatat elektorale të disa forcave politike.