Berisha kërkon dorëheqjen e Ramës: Nuk je më i besueshëm
Ish-kryeministri Sali Berisha kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në një reagim fill pas deklaratës refuzuese për armët kimike të Ramës, Berisha thekson se këtij Kryeministri që mashtroi botën, aleatët dhe shqiptarët nuk i beson më askush.“Rinia shqiptare ngadhënjeu mbi mashtrimin e Edi Ramës. Ajo, me protestën e saj historike, mposhti njëriun që mashtroi botën, aleatët dhe shqiptarët!I bëj thirrje Edi Ramës, për hir të Zotit dhe të Shqipërisë, jep dorëheqjen në qoftë se të ka mbetur qoftë dhe një grimcëz përgjegjësi dhe dinjitet. Jep dorëheqjen se kush mbi këtë tokë, shqiptar apo i huaj, nuk të beson më!! Zoti e bekoftë rininë e kombit tonë, nëntorin e bijëve e shndërroi në dhjetorin e etërve të tyre!” shkruan Berisha në fb.Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi më herët se Shqipëria e ka të pamundur që të përfshihet në operacionin e shkatërrimit të lëndëve kimike siriane. Në një deklaratë disa minutëshe të ndjekur, Rama shprehu qëndrimin e tij, arsyet se përse e çuan në këtë vendim, ndërsa sulmoi ata që tentuan të hedhin baltë mbi procesin e diskutimeve me aleatët, duke e akuzuar atë se kishte mashtruar shqiptarët dhe se e kishte marrë tashmë vendimin për sjelljen e këtyre lëndëve në Shqipëri.