Çefa në konferencën e USAID JuST: Tranparencë dhe paanshmëri në gjyqësor

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, mori pjesë sot në konferencën e Tretë Rajonale e Lidershipit në Gjyqësor në lidhje me përdorimin e Teknologjisë së Regjistrimit Dixhital Audio në Gjykatat në Shqipëri, e organizuar nga Programi i USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë.Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Çefa theksoi rëndësinë që ka për KLD procesi i rritjes së transparencës në gjykim dhe përmirësimi i performancës së pushtetit gjyqësor."Transparenca e veprimtarisë së gjykatave dhe procedimeve gjyqësore, është një parim i rëndësishëm që mbështet shumë vlera themelore, përfshirë besimin e publikut te sistemi gjyqësor, të kuptuarin e administrimit të drejtësisë dhe përgjegjshmërinë gjyqësore. Drejtësia duhet të duket që po jepet! Aksesi sa më lehtë në drejtësi prej kujtdo, është një ndër synimet tona të përbashkëta. Me të drejtë aksesi në gjykatë është konsideruar si dhënia e mundësisë individit për të kërkuar drejtësi. Në këto kushte, afërmendsh që aksesi në gjykatë është i domosdoshëm për të garantuar sundimin e ligjit"tha ai.Në këtë linjë, Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë theksoi se modernizimi i gjykatave është objektiv kryesor i Këshillit dhe partnerëve të tij, pasi ai imponon seriozitet e përgjegjshmëri dhe ka gjithashtu një sensibilitet të madh nga publiku që përballet me gjykatën. Ai i kërkoi përfaqësuesve të JuST të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur implementimin e teknologjisë së regjistrimit audio edhe në gjykatat administrative, për punën e të cilave pritshmëritë e të gjithëve janë shumë të mëdha.Programi, USAID JuST është një projekt pesëvjeçar, i filluar në tetor 2010, i cili synon rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efektshmërisë në gjykata, konsolidimin e rolit mbikëqyrës dhe antikorrupsion të organizatave të shoqërisë civile dhe medias, si dhe forcimin e arsimimit juridik dhe avokatisë në Shqipëri.