Zbulohet maksi-mashtrim në fushën e deklarimit në doganë të makinerive të lojërave të fatit

Strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në bashkëpunim me organet doganore homologe zbuluan një maksi-mashtrim në fushën e deklarimit në doganë të makinerive të lojërave të fatit.Kompania “SATURN GAMES” ka deklaruar në Degën e Doganës Tiranë, në import, 65 copë makineri lojëra fati me vlerë 37.050 euro. Gjatë kontrollit dhe hetimit aposterior të kësaj praktike doganore rezultoi se vlera reale e kësaj ngarkese e deklaruar në deklaratën e eksportit është 468.000 euro.Kompania “SATURN GAMES”, me anë të paraqitjes në Degën e Doganës Tiranë të dokumentacionit të falsifikuar, ka shmangur detyrimin doganor në shumën 11.793.604 lek. Për këtë shkelje të klasifikuar kontrabandë, kompania është penalizuar në shumën 35.380.812 lek. Në total, detyrimi i munguar dhe penalitetet arrijnë në shumën 47.174.416 lek.Për këtë çështje është depozituar kallëzimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për raste të ngjashme.