Ballkani bashkon bizneset amerikane, Ahmetaj: Lehtësim të proçedurave për biznesin e huaj
Rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të shihet si një treg i vetëm nga investitorët amerikanë.Për këtë qëllim të gjitha qeveritë e vendeve të rajonit duhet të jenë bashkëpunuese për vetë nevojën dhe rëndësinë e krijimit të një tregu me të dhëna të përbashkëta për ta bërë atë më tërheqës për investitorët amerikanë.Ky ishte mesazhi që përcollën përfaqësuesit e Dhomave Amerikane të Tregtisë së Tiranës, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, gjatë Konferencës së Parë Rajonale “Perspektiva e Përbashkët e Dhomave të Rajonit”.
“Shtrirja e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe ngritja e një strategjie të përbashkët ëshë shumë e rëndësishme. Sipërmarrja amerikane ka një rol të veçantë edhe në aspektin e rritjes së ekonomisë në Ballkanin Perëndimor. Ndërtimi i një tregu të përbashkët rajonal është një gjë e mundur. Kjo do të ndikonte pozitivisht edhe në thithjen e investimeve të huaja, në sektorë të përbashkët që kanë të gjitha vendet. Janë projekte dhe nisma që s’duhet të mbeten në letër, por të kenë zbatueshmëri, transparencë dhe të kenë efekte që të japin aspektin pozitiv në ekonominë e secilit vend. Duhet një kordinim mes vendeve të rajonit edhe në luftën kundër korrupsionit. Lufta ndaj korrupsionit dhe ulja e tij do ndikojë pozitivisht dhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Një treg i përbashkët i rajonit të Ballkanit e bën më tërheqës, më kompetitiv dhe më të modernizuar në shumë sektorë të ekonomisë rajonale. Për Shqipërinë investitorët amerikanë janë më se të rëndësishëm. SHBA janë partner strategjik jo vetëm në sigurinë kombëtare, rajonale, apo gjeopolitikë por dhe në aspektin ekonomik Amerika është një partner i rëndësishëm për Shqipërinë. Si Ministër i Ekonomisë jam i vendosur për ta hapur Shqipërinë ndaj investitorëve amerikanë, por jo vetëm. Kam premtuar dhe do ti qëndroj faktit që do jemi të hapur dhe një partner i duhur për investitorët e huaj që ta shohin Shqipërinë si një vend atraktiv dhe me mundësi të mëdha për të sjellë investimet e tyre. Janë shumë të rëndësishme edhe marrëveshjet e bashkëpunimit që do sjellin kontributin e investimeve amerikane drejtëpërdrejt në ekonominë shqiptare. Dua të falenderoj Ambasadën amerikane që ka insistuar vazhdimisht ndaj qeverisë së re për të qenë e hapur me investitorët e huaj dhe ata amerikanë , duke qenë të bashkuar mund të sjellim investime të rëndësishme dhe zhvillime pozitive për ekonominë” tha Ministri Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.
“Kjo konferencë ka shumë rëndësi dhe falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë takim, i cili hedh bazat mbi këtë nismë rajonale ekonomike shumë të rëndësishme. Ambasada amerikane i ka mbështetur dhe do vazhdojë të mbështesë të tilla nisma. Është një element pozitiv që Ambasadat amerikane në rajon, qeveritë e rajonit dhe biznesi të çojnë më parëpara bashkëpunimin. Vendet e Ballkanit kanë një treg të vogël, por nëse do ketë një unifikim të tregut do të kishte më shumë interes për investitorët e huaj, përfshirë edhe ata amerikanë. Ambasada amerikane e sheh me interes mundësinë për të implementuar projektet e investitorëve amerikanë në Shqipëri. Lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësihme, sa më i ulët të jetë niveli i korrupsionit aq më i madh është interesi dhe mundësia e investitorëve të huaj të jenë aktivë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, rajonale dhe më gjerë. Janë disa forma në të cilat mund të kontribuojnë dhe faktorët investues në luftën ndaj korrupsionit, përmes diskutimeve të ndryshme. Po kështu ka dhe elementë të tjerë, implemtimi i ligjeve që janë në shërbim të sektorëve të ekonomisë, sistemi i taksave, ne do të vazhdojmë të punojmë me secilin prej jush që të ndërthurim sa më mirë marrëdhëniet me qeveritë përkatëse që ketë gjithmonë një lidhje të fortë, e cila të ndërtojë bazat për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik”tha zv/ambasadori i SHBA, Henry Jardine.Dhomat Amerikane të Tregtisë që zhvillojnë aktivitetin në këto vende do të krijojnë një union të përbashkët, ku çdo sipërmarrje të ketë shërbimet e kërkuara të njësuara.