Presidenti Nishani kërkon nga Rumania njohjen e Kosovës

Presidenti i Republikës,Bujar Nishani, priti në një takim një delegacion parlamentar nga Rumania, kryesuar nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, Valeriu Zgonea.Presidenti Nishani dhe Kryeparlamentari Zgonea, pas shkëmbimeve të mirëseardhjes, ndanë të njëjtin mendim për marrëdhëniet tradicionale ndërmjet dy vendeve, rolit të Rumanisë në mbështetje të lëvizjes për pavarësi dhe të shtetit shqiptar dhe vlerësuan se në prag të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë, niveli i bashkëpunimit është shumë i mirë, por ka ende shumë mundësi për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në plan dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh.Në këtë frymë, bashkëbiseduesit veçuan bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, me prioritet bujqësinë dhe turizmin, shkëmbimin e eksperiencës rumune në procesin e integrimit evropian, intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, nismave të tjera rajonale dhe institucioneve të tjera shumëpalëshe, ku vendet tona janë anëtare, si fusha ku institucionet e dy vendeve tona mike duhet të orientojnë përpjekjet e tyre në të ardhmen.Presidenti gjithashtu, falenderoi Rumaninë për mbështetjen e dhënë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe politikën e saj bazuar në parimin e gjithëpërfshirjes në rajon dhe i kërkoi Kryeparlamentarit që Rumania të mbështesë më tej Kosovën, duke argumentuar se pavarësia e Kosovës ishte një akt tashmë i provuar në praktikë, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe më gjerë.