Nishani takon protestuesit: As unë nuk jam në dijeni të armëve

Presidenti Nishani priti sot në një takim një përfaqësi të qytetarëve që protestuan kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri, dje përpara Institucionit të Presidentit të Republikës.Pasi dëgjoi argumentat e sjella nga përfaqësuesit e qytetarëve, Presidenti i Republikës vlerësoi si një të drejtë themelore protestën dhe se çështja e importimit të armëve kimike ka një ndjeshmëri maksimale nga opinioni publik.“Për fat të keq, Ai si Kreu i Shtetit shqiptar deri në këto momente nuk ka asnjë kontakt apo informacion nga Qeveria Shqiptare për këtë çështje. Kjo tingëllon krejt e pazakontë, por për fat të keq ky është realiteti në lidhje me njohuritë e Presidentit. Presidenti i Republikës mbetet në pritje që të kontaktohet dhe informohet nga Qeveria Shqiptare”thuhet në njoftimin e Presidencës.Nga ana e Tij, Kreu i Shtetit i siguroi përfaqësuesit e qytetarëve dhe përmes tyre të gjithë qytetarët e vendit se në çdo rast Presidenti do të jetë garant i respektimit dhe zbatimit të Kushtetutës dhe legjislacionit shqiptar si dhe prioritet i punës së Kreut të Shtetit mbetet gjithmonë garancia për sigurinë e jetës, shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit.