Meta: Çdo përpjekje në përmirësimin e legjislacionit në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve
Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë çdo përpjekje në përmirësimin e legjislacionit në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve. Kështu ka deklaruar kryeparlamentari, Ilir Meta, gjatë një seance dëgjimore lidhurme rekomandimet e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve për Shqipërinë të organizuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut si dhe Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.Duke vlerësuar faktin se dëgjesa e parë publike në këtë legjislaturë, në Kuvendin e Shqipërisë me shoqërinë civile u çel me të drejtat e fëmijëve, Kryetari i Kuvendit theksoi se ky debat i hapur duhet të përcjellë mesazhin se e ardhmja nis pikërisht nga fëmijët.“Kam bindjen se modernizimi, emancipimi dhe evropianizimi i shoqërisë sonë, nis nga garantimi i të drejtave themelore të fëmijëve në përgjithësi dhe aty në vështirësi në veçanti” u shpreh Kryetari i Kuvendit.Kryetari i Kuvendit theksoi rëndësinë që ka forcimi i përpjekjeve për të bërë më shumë në mbrojtje të fëmijëve dhe zgjidhjes së vështirësive që rrjedhin nga shumë probleme, si nga çështja e diskriminimit të disa kategorive, kushtet ndaj fëmijëve romë apo edhe atyre me aftësi të kufizuar.Meta theksoi se është koha për krijimin e një tjetër sjelljeje, dhe kulture tjetër ndaj fëmijëve.Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit shprehu gatishmërinë e Kuvendit për nxitur gjithashtu përpjekjet e mundshme për të patur një sistem drejtësisë për të miturit në përputhje me Konventën e OKB-së për mbrojtjen e të drejtave për fëmijët.Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj vlerësoi se ky takim është një qasje e re e Kuvendit të Shqipërisë, Komisioneve të Përhershme Parlamentare në bashkëpunim me grupet e interesit dhe shoqërinë civile për të bërë hapat e duhur në këtë çështje sensitive të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.Kryetarja e Komisionit për Çështjet Sociale, Albana Vokshi falënderoi për pjesëmarrjen e gjerë në punimet e këtij takimi ndërsa e cilësoi këtë prezencë si dëshmi të rëndësisë që i jepet çështjes së fëmijëve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre si një prioritet.Në emër të shoqërisë civile, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Altin Azizaj ndërsa çmoi si shumë të rëndësishme këtë dëgjesë publike ngriti si shqetësim çështjen e dhunës ndaj fëmijëve.Ai tha se, sot Shqipëria ka nevojë për një qëndrim të ri ndaj mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Azizaj theksoi se megjithëse janë bërë një sërë arritjesh në këtë drejtim sërish mbetet ende shumë punë për t’u bërë qoftë në legjislacion, institucione dhe politika.Gjatë këtij debati të hapur u parashtruan problematikat dhe vështirësitë që hasen sot në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve ku dhe u vu theksi tek rëndësia e një bashkëpunimi midis institucioneve publike, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit për të adresuar me seriozitet këto çështje në përputhje edhe me zbatimin e rekomandimeve që rrjedhin nga Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve.Të pranishëm në këtë debat të hapur ishin përfaqësues të shoqërisë civile, grupeve të interesit, deputetë, përfaqësues të qeverisë, të institucioneve të pavarura etj.