Vdiqën dy persona, Gjiknuri revokon lejën minerare të “YZO” në Librazhd
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri urdhëroi revokimin e lejes minerare Nr.1338, datë 24.07.2009, dhënë subjektit “YZO” shpk, në Gurrë, komuna Qukës, rrethi i Librazhdit.Menjëherë pas ngjarjes së datës 7 nëntor 2013, kur në galeritë e minierës ku kryente aktivitetin ky subjekt, humbën jetën dy persona, Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave nisi inspektim për të zbuluar shkaqet e aksidentit.Nga këqyrja e dokumentacionit të disponueshëm në subjekt dhe inspektimeve në terren, RISHM-i konstatoi se gjendja teknike e galerisë nuk ishte e mirë dhe se mungonte krejtësisht armatura në të gjithë gjatësinë e saj.Specialistët konstatuan se shkaku i ndodhjes së aksidentit me pasojë vdekjen e inxhinierit Drini Bogdani dhe minatorit Haxhi Danga ka qenë shkëputja nga tavani i punimit në ballin e saj, të një masivi shkëmbor i cili i ka goditur në kokë dhe në trup duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tyre.Duke konstatuar se aksidenti ka ardhur si rezultat i mos zbatimit të Rregullave të Sigurimit Teknik, RISHM-i vendosi pezullimin e punës në të gjithë objektin minerar të lejes dhe i propozoi Ministrit revokimin e lejes minerare.