Rama shmang “PO” zyrtare: Armët, vetëm kur të kemi garanci që s’përbëjnë rrezik

Kryeministri Edi Rama ka shmangur fjalën po zyrtare, por ama nuk ka hequr aspak hijen e armëve kimike mbi trojet e shqiptareve. Megjithatë nëse do të jetë një po, ai ka dhënë garanci se do jetë pa rreziqe për jetën e qytetarëve.“Nuk ka ende një plan të plotë, njerëzit kanë nevojë për të gjykuar mbi një marrëveshje të plotë, në fund të fundit për të dëgjuar një aryetim të plotë për çfarë përfiton Shqipëria, pikërisht edhe nga vetë pikpamja mjedisore nëse përfshihet në një operacion të tillë. E të gjitha këto do mund të thuhen dhe dëgjohen vetëm kur ky plan i plotë dhe kjo marrëveshje e plotë të jenë gati për tu diskutuar. Fakti që sot nuk ka ende asnjë vendim lidhet me faktin se sot nuk ka ende asnjë plan të plotë dhe asnjë marrëveshje të plotë me vendet e përfshira në këtë proçes, jo vetëm nga ana jonë, por mes vendeve me njëri-tjetrin. Ajo çfarë unë mund të them duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve, ashtu siç mirëkuptoj plotësisht gjitha ata që ndihen të shqetësuar, edhe ata që dalin në protestë jo nga rruga e interesave politike, por nga rruga e ingeresit qytetar dhe atdhetar, sot ne vetëm mund të themi me plot gojën se në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk do të pranonim që të cënohej integriteti i vendit tonë, qoftë në aspektin jetik, qoftë në aspektin mjedisor, qoftë në aspektin e të ardhmes së vetë. Çdo vajzë dhe djalë, nxënës apo student që sot është përfshirë në këtë debat duhet ta dijë që kurrë unë vetë dhe kjo qeveri nuk do të pranonte jo jeta, por vetë e ardhmja e tyre të vihej në diskutim me cënimin më të vogël, çdo prind duhet ta dijë që kurrë unë apo qeveria nuk do të vendoseshim në asnjë lloj pozicioni që do të rrezikonte qoftë dhe një fije fëmijën apo familjen. Çdo gjysh dhe gjyshe në këtë vend duhet ta dijë se kurrë ne nuk do të thoshim një po dhe kurrë unë nuk do të shkoja përballë publikut dhe parlamentit për të kërkuar po-në e tyre të domosdoshme pa pasur në dorë një plan bazuar në një marrëveshje që do garantonte që jo vetëm të gjitha rreziqet e imagjinuara për shkak të një propagande do të thosha të mbështetur në një terësi të pavërtetash dhe në disa të vërteta që janë dhe të vërtetat tona të ktheheshin në një problem” tha ai.Një operacion i mundshëm nga Siria në Shqipëri për Kryeministrin duhet të jetë një moment që të na nxjerrë më të fortë e kryelartë në fund.“Pra është absolutisht e qartë që për ne, për mua, për qeverinë me patjetër kontributi ynë dhe pozicionimi ynë i qartë krah për krah SHBA është i lidhur me intersin e çdo shqiptari , të çdo familje shqiptare dhe të ardhmërisë së këtij vendi dhe familjeve të këtij vendi në këtë vend. Çka do të thotë se po-ja jonë do të mund të lidhet vetëm me një plan dhe një marrëveshje që të jetë e qartë për të gjithë që Shqipëria do të dalë jo vetëm me kokën lart, por e fituar dhe edhe më e pastër nga çfarë është sot. Sot Shqipëria në kushtet që gjendemi jeton në një mjedis të mbushur me hot-spote dhe grumbullime mbeturinash të rrezikshme për shëndetin dhe të ardhmen. Kjo nuk është një arsye për të marrë përsipër rreziqe të reja, por për të medituar mbi mundësinë që një moment i tillë mund të jetë një shans i madh jo vetëm për të bërë detyrën tonë me kokën lart, por dhe për të dalë nga ky operacion më të fortë dhe më të pastër. Jam i bindur që do të duhen të gjithë argumentet e nevojshëm në mbrojtje të një propozimi për Parlamentin dhe, sigurisht, për publikun që Shqipëria ta marrë përsipër një pjesëmarrje të tillë, në një proces kaq historik dhe kaq delikat për mbarë botën, në fakt. Ndërkohë, pikërisht, sepse ne duam të jemi 100% të sigurt, ne ende nuk kemi një vendim. Ky vendim do të merret në konformitet të plotë me gjithë detyrimet që ka Qeveria e Shqipërisë dhe që kam unë personalisht, përballë çdo shqiptari për të rreshtuar çdo argument dhe gjithë tërësinë e argumenteve që e arsyetojnë vendimin si përgjegjësi kombëtare dhe si një proces garancish të plota për publikun shqiptar dhe për të ardhmen e këtij vendi” deklaroi Rama.Duke renditur kushtëzimet ndaj atyre që hipotetikisht do sjellin armët kimike në Shqipëri, shefi i maxhorancës shqiptare gjatë diskutimit në konferencën antikorrupsion ka përdorur gjithë arsenalin e fjalorit të tij për të qetësuar shqiptarët.Ndërsa ka përsëritur edhe njëherë se e gjithë vendimarrja në kohën e duhur do të jetë transparente si kristali me ligjëvënësit dhe me shqiptarët.