“Ditari i 23 qershorit”, Peza: Dedikim për Sali Berishën
Një dedikim për Sali Berishën, kështu e ka përkufizuar ditarin e zgjedhjeve të 23 qershorit ish-gazetari Alfred Peza, sot deputet i PS të sjellë në librin e tij të parë botuar nga UET Press. Parathënia e botimit është e deputetit Ben Blushi. Mes miqve të vjetër, pati batuta të këtij rrugëtimi gazetar-politikan.
“Ditari i Fredit është shumë personal, është historia e një gazetari të njohur të Shqipërisë që për arsyet që i ka thënë në këtë libër, ka dashur të kapërcejë dhe të bëhet politikan. Ai ka rrëfyer me shumë sinqeritet 3-4 muaj të jetës së vet gjatë të cilave ne patëm fatin të përjetojmë një ndryshim. Ajo që më ka pëlqyer më shumë është mundësia që ai i jep çdokujt që lexon këtë libër të njohë një qytet të panjohur. Peqini është qyteti ku Fredi ka kandiduar dhe për mua para disa muajsh ka qenë plotësisht i panjohur dhe mendoj që dhe për shumë të tjerë, për shkak të përmasave, dimensioneve historike, kufizimeve gjeografike dhe pse rruga kalon aty, nuk ke shumë arsye të kalosh, po Fredi ka nxjerrë një qytet në dritë dhe besoj që ky është një shërbim që i bën qytetit ku ka kandiduar, por dhe një premtim që duhet ta mbajë për qytetin që i dha mundësinë të jetë politikan. Nisur nga përvoja ime i uroj më shumë fat si shkrimtar sesa si politikan sepse kjo e dyta është gjithmonë relative” tha Blushi.
“Përsa i përket radhës së kryeministrave, e ka Blushi radhën. Fati është i çuditshëm, të punosh 20 vjet duke shkruar shkrime publicistike dhe nuk shkruan asnjë libër dhe 18 javë pasi ti je larguar që aty për të bërë një zanat tjetër bën veprën e parë publicistike. Ngjashëm me romanin “Ishulli” të Blushit që ia dedikoi Edi Ramës, unë ia dedikoj Sali Berishës. Ka qenë Shqipëria e Sali Berishës, demokracia e tij, mënyra e qeverisjes, si ajo mënyrë e la vendlindjen time, shtysat që më bën të hyja në politikë. Aq koshient dhe i përgatitur paskam qenë për të hyrë në politikë sa që paralele me bërjen politikan unë përgatisja këtë libër që kemi sot në dorë. Fati i librit thuhet që jo domosdoshmërisht ndjek fatin e autorit, por unë nuk do i uroja më shumë sesa të kishte fatin tim” u shpreh Peza.Ditari i 23 qershorit lexohet lehtë, ashtu siç do të ishte një ditar i zakonshëm. Tregohen nga fillimi batutat e para familjare për tu bërë poltikan.Më pas gazetaria impenjative dhe gjerësisht ndalet në muajt para zgjedhjeve, ku Peza në vendlindjen e tij në Peqin ku kandidoi për deputet preferoi të njihte nga afër jetën dhe problematikat e banorëve, për të nisur nga aty zotimet si politikan.Ky është rrëfimi i tij për Peqinin elektoral por dhe për marrëdhëniet e tij me Ramën e Berishën të përmbledhura në këtë botim që nga sot nuk është më ditar, por i hapur për të gjithë lexuesit.