Akuzat ndaj Zana Xhukës, vendoset ngritja e komisionit hetimor
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi sot projektvendimin “Për ngritjen e Grupit për kryerjen e kontrollit në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave” (ILDKPKI).Kryetari i Komisionit, z.Fatmir Xhafaj bëri të ditur se pranë Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut janë depozituar disa informacione dhe me anë të të cilave një grup punonjësish të ILDKP-së kanë parashtruar disa shqetësime serioze në lidhje me veprimtarinë e këtij institucioni.“Në këto rrethana, çmohet e nevojshme që këto problematika të verifikohen, të shqyrtohen dhe të trajtohen me seriozitetin e nevojshëm nga ana e Kuvendit, si një organ që me ligj ngarkohet për monitorimin e këtij institucioni” tha z.Xhafaj.Ai tha se projektvendimi vjen nisur nga vullneti për të garantuar të gjithë mbështetjen e nevojshme me qëllim që ILDKP të vijojë përmbushjen efektive të funksionit të saj, për të nxitur zbatimin e ligjshmërisë në aktivitetin e përditshëm të këtij institucioni, për të shmangur çdo situatë që pengon normalitetin në funksionimin e tij, dhe për të kontribuar si komision përgjegjës në përmirësimin e mangësive evetuale të krijuara nga situata aktuale në atë institucion.Duke bërë këtë parashtrim, Xhafaj deklaroi se, bazuar në nenin 102 të Rregullores së Kuvendit, kërkohet që Komisioni për Çështjet Ligjore, si komision përgjegjës, të ushtrojë një kontroll në këtë institucion.Nga ana e tij, Nënkryetari i Komisionit, z.Oerd Bylykbashi tha se projektvendimi u fut në shqyrtim në shkelje të procedurave dhe kërkoi kohën e mjaftueshme për të gjykuar çështjen në fjalë.Ai theksoi se ky projekvendim që Komisioni po merr në shqyrtim është një tentativë e mazhorancës për të kapur dhe kontrolluar institucionet e pavarura.Pas diskutimeve, anëtarët e mazhorancës në Komisionin për Çështjet Ligjore miratuan projektvendimin “Për ngritjen e Grupit për kryerjen e kontrollit në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave” (ILDKPKI).Kontrolli do të fokusohet dhe do të verifikojë përmbushjen e detyrave funksionale nga ana e ILDKP si dhe zbatimin e ligjshmërisë nga ana e këtij institucioni.