Armët kimike? Meta në një linjë me Ramën: Gati të diskutojmë në Kuvend

“Kjo është një çështje e cila i takon së pari qeverisë që po shprehet, së dyti padyshim parlamenti në çdo rast ka të drejtën dhe detyrimin që të shprehet pa asnjë diskutim. Njëkohësisht duhet vlerësuar dhe mirëkuptuar ndjeshmëria atdhetare dhe e grupeve të shoqërisë civile. Unë theksoj bindjen time se në çdo rast, çdo vendim do të merret në mënyrë transparente, që do të thotë gjithmonë Shqipëria ka treguar se është një vend që dëshiron të kontribuoj për paqen dhe sigurinë. Është një vend që ka përfituar jo pak nga paqja dhe siguria, për të cilën kanë kontribuuar dhe aleatët tanë. Por duke u mbështetur gjithmonë në ato mundësi që vendi ynë ka dhe që lejojnë marrjen e përgjegjësive. Pa asnjë diskutim gjithmonë në mënyrën më transparente dhe Kushtetuese”tha Meta.
Kryeparlamentari shqiptar deklaratat i bëri gjatë një konference të përbashkët me homologun rumun, të cilit i ka kërkuar njohje të Kosovës prej vendit të tij.
“Njëkohësisht ne shpresojmë dhe kërkojmë për një rivlerësim sa më realist për sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Rumania, sepse ne besojmë shumë që kjo do të forconte stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal” theksoi kreu i Kuvendit Meta.
Dy kryeparlamentaret u takuan për gati një orë gjatë mesditës, ku janë prekur edhe çeshtje të tjera të bashkëpunimit dhe situatës në përgjithësi të rajonit të Ballkanit, ku Rumania si vend anëtar i BE mund të luajë rol parësor.
“Rumania luan një rol të rëndësishëm në rajonin tonë për sa i takon bashkëpunimit dhe stabilitetit dhe në këtë drejtim unë i shpreh urimet e mia më të ngrohta kolegut tim, zotit Zgonea për Presidencën rumune të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore ku Shqipëria është dhe do të jetë akoma më shumë pjesëmarrëse aktive duke mbështetur këto nisma që forcojnë bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Dhe unë besoj se Presidenca e Rumanisë do ta forcojë edhe më tej dimensionin europian të këtij procesi bashkëpunues në rajonin tonë”përfundoi ai.
Nga ana tjetër kryetari i Parlamentit të Rumanisë, Zgonea përgëzoi gjithë shoqërinë shqiptare për transferimin e pushtetit që u bë në vjeshtë, me zgjedhje të lira, demokratike dhe korrekte. Një element thelbësor, i cili korrespondon me konvergjencat e aderimit në familjen evropiane.