“Nxitja e diversitetit përmes arsimit”, Nikolla: Arsim cilësor dhe gjithpërfshirës
100 përfaqësues të ministrive dhe institucioneve qeveritare, ekspertë, përfaqësues nga shkollat, shoqëri civile dhe organizata ndërkombëtare nga Rajoni i Evropës Juglindore u mblodhën sot në Tiranë në Konferencën Rajonale “Nxitja e diversitetit përmes arsimit”.Në hapjen e punimeve të Konferencës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, shprehu angazhimin e institucionit që drejton dhe qeverisë së re për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës si parakusht për të siguruar cilësinë e jetës.“Investimi në arsim është domosdoshëmri jo vetëm sepse është e drejta e çdo njeriu, por dhe pse hapat dhe dinamikat me të cilën po zhvillohen shoqëritë europiane dhe më gjerë kërkojnë forca pune të përgatitura me mjeshtëri dhe shprehitë e duhura, të afta për tu përballur me kërkesat e tregut. Kjo përkthehet më pas në zhvillim për vendet tona dhe cilësi të mirë të jetesës. Në cilësinë e Ministres së Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e pjestares së kapitenit të ri qeveritar të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit ju bëj me dije se për qeverinë e re arsimi cilësor dhe gjithëpërfshrës është politika më e mirë për zhvillimin e vendit. Ne besojmë fort se cilësia në arsim për gjithë nxënësit është parakusht për të siguruar cilësinë e jetës për ata që do jenë forca e ardhshme e punës, familjarët e ardhshëm dhe qytetarët e Europës ku ne duam të integrohemi” tha Nikolla.E vetëdijshme për sfidat në sistemin arsimor, Nikolla tha se puna e çdo institucioni që punon për arsimin duhet të jetë e përditshme për të ndërtuar qytetarin e së ardhmes.
“Arsimi është sistem i ndërlikuar, plot sfida për tu përballur, sukseset e të cilit nuk janë të dukshme dhe të matshme në mënyrë të menjëhershme, ne punojmë sot për të ndërtuar qytetarin e së ardhmes, atë që do jetojë në familjen europiane. Këto janë arsyet që ne duhet të punojmë çdo ditë, që sot për të bërë që çdo fëmijë, edhe ai nga familja me vështirësi ekonomike, edhe ai që ka vështirësi në të nxënë, edhe ai që vjen nga një komunitet që ka një etni, gjuhë dhe kulturë tjetër, edhe fëmija me aftësi të kufizuar të gjejë veten,të ndihet i pranuar dhe i vlerësuar dhe të përfitojë njësoj si gjithë të tjerët nga sistemi arsimor për të qenë i aftë e më pas në këtë mënyrë të gjejë veten si një i barabartë në shoqëri për të ndërtuar një jetë më të mirë. Në fund të ditës puna e çdo institucioni që punon për arsimin duhet të ketë në qëndër të pikësynimeve të veta, të nxënit, të nxënit , të nxënit. Në emër të MASH rikonfirmoj mbështjen dhe angazhimin tonë për ta bërë shkollën më të hapur, më miqësoere dhe më të dashur për nxënësin, për ta bërë arsimin shqiptar cilësor dhe efektiv për të gjithë. Falenderoj BE dhe KiE për mbështetjen që po ofrojnë për ta bërë arsimin në rajonin tonë cilësor dhe gjithëpërfshirës, në veçanti përmes këtij programi të përbashkët rajonal” përfundoi ajo.Konferenca Rajonale “Nxitja e diversitetit përmes arsimit” do të mbahet për dy ditë me radhë, ndërsa i pranishëm në event ishte dhe Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi.