Zgjedhjet, KNPGRP: PS shkel ligjin, nuk paguan gjobën gjinore të KQZ

Partitë politike në Shqipëri, të cilat u gjobitën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mos-respektimin e kuotës gjinore, vazhdojnë ende të mos e paguajnë atë. Akoma më ironik është fakti se ato parti që i kanë paguar këto gjoba, e kanë bërë atë duke përdorur lekët e taksapaguesve shqiptarë.Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë reagoi pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor 2012, duke ngritur shqetësimin se partitë politike do t'i "shesin interesat e grave dhe vajzave" duke pranuar që të gjobiteshin po të mos respektonin kuotën gjinore 30 %.Pas Zgjedhjeve Parlamentare 2013, nga 66 parti, të cilat regjistruan listat shumemërore, KQZ-ja vendosi sanksionin administrativ gjobë, për mosrespektim të kriterit të gjinisë sipas Kodit Zgjedhor, për 3 prej tyre. Subjektet zgjedhore që nuk plotësuan kriterin e gjinisë në listat shumemërore për zonat zgjedhore dhe që u gjobitën me vlerë monetare për këtë shkelje janë PS, PD dhe LSI, përkatësisht me 6 milionë, 4 milionë dhe 4 milionë lek të reja, që përbëjnë edhe 3 partitë kryesore parlamentare në Shqipëri.Pas një kërkese zyrtare drejtuar KQZ-së nga Koalicioni, rezulton se deri tani PD dhe LSI i kanë shlyer plotësisht sanksionet administrative ndaj tyre, ndërsa PS ende nuk e ka shlyer plotësisht atë. Nga detyrimi prej 6 milionë lekësh, Partisë Socialiste i është mbajtur shuma prej 2.546.399 nga shuma e akorduar nga buxheti i shtetit partive politike të regjistruara ne zgjedhjet e fundit, ndërsa shuma prej 3.453.601 mbetet ende e pashlyer nga kjo parti.Sipas Kodit Zgjedhor Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Të tre partitë e sipërpërmendura janë financuar nga buxheti i shtetit për organizimin e fushatës zgjedhore, para këto të dala nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Kjo do të thotë se automatikisht edhe gjobat "gjinore" të paguara nga këto parti janë mbuluar nga të ardhurat që këto parti marrin nga taksat e qytetarëve shqiptarë."Për ne është e patolerueshme që lekët e taksa-paguesve të përdoren për të paguar gjobat e partive politike në Shqipëri kur ato nuk respektojnë ligjin. Ne kemi nevojë urgjente që ta adresojmë këtë çështje me Kuvendin e Shqipërisë për të bërë të mundur ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike në Shqipëri"- tha Altin Hazizaj, një ndër drejtuesit e Koalicionit.