Nis punën Gjykata Administrative, Naço: Revolucion në sistemin e drejtësisë
Gjykata administrative ka hapur dyert ashtu siç ishte lajmëruar në datën 4 nëntor në të gjithë vendin. Pas një odiseje të gjatë, këtë të hënë ka marrë udhë kërkesa e kahershme e biznesit për krijimin e gjykatës Administrative.Tashmë, të gjitha subjektet tregtare apo vartësit në institucionet shtetërore, të cilët dyshojnë se aktet administrative të marra ndaj tyre janë të paligjshëm, mund t'i drejtohen kësaj gjykate, e cila në bazë të ligjit duhet të nisë shqyrtimin brenda 7 ditëve.I pranishëm në ceremoninë e hapjes së gjykatës së shkallës së parë të Tiranës, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço tha se ndryshe nga më parë në këtë gjykatë do të proçedohet me shpejt për të zgjidhur çështjet."Dua t`i uroj punë të mbarë gjykatës administrative dhe trupës së gjyqtarëve. Gjykata Administrative është një gjykatë që i ka munguar sistemit të drejtësisë. Kjo gjykatë është një revolucion në sistemin e drejtësisë që do të vijojë me reforma të tjera. Kushtet janë optimale për të filluar punë. Do të procedohet më shpejtë për ankesat e qytetarëve. Janë marrë të gjithë masat që kolegji administrativ të fillojë punën që nesër dhe në ditët në vijim” u shpreh Naço.Ndërsa nënkryetari i KLD-së Elvis Cefa u shpreh se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të vetë në qendër të vëmendjes funksionimin dhe mbarëvajtjen e Gjykatës Administrative.“Sot filluan punë të gjitha gjykatata administrative në gjithë territorin e Shqipërisë. Gjykata Administrative do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm në cilësinë e dhënies të gjykimit administrativ. Kjo gjykatë ka 7 salla gjykimi që do të krijojë edhe një lehtësi për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore. Kam besim që trupa gjykuese nuk do të na zhgënjejë në punën e saj” tha Cefa.I pyetur në lidhje me vendet vakante në këtë gjykatë, Cefa theksoi se kjo çështje do të merret në shqyrtim që në mbledhjen e ardhshme të KLD-së"Vendet vakante nuk përbëjnë një emergjencë apo një pengesë për funksionimin e gjykatës. Që në mbledhjen e ardhshme KLD do të marrë masa për të plotësuar vendet vakante” shtoi Cefa.Ambientet e reja të shkallës së parë të gjykatës administrative në Tiranë janë vendosur në rrugën "Don Bosko" dhe gjithë infrastruktura është e përfunduar. Krahas gjykatave të shkallëve të para dhe apelit po sot edhe gjykata e Lartë ka krijuar kolegjin administrativ, i përberë nga gjashte gjyqtarë.Gjykatat administrative do të gjykojnë vetëm paditë e depozituara që nga dita e sotme e në vazhdim, ndërsa ato që kanë qenë depozituar më parë në gjykatat civile, do ta vijojnë gjykimin në ato gjykata.Projektligji për ngritjen e Gjykatës Administrative e ka zanafillën që në vitin 2008. Ndërsa që prej vitit 2009, drafti qëndroi në Kuvend për shkak të ngërçit politik dhe u votua me konsensus të plotë para zgjedhjeve të qershorit 2013.