PD akuzon sërish: Në dogana edhe tezja e Olta Xhaçkës
Partia Demokratike ka vijuar sërish sot me akuzuat drejtuar qeverisë për emërime nepotike në drejtorinë e Doganave.Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi deklaroi në një konferencë për shtyp se në drejtorinë e doganeve është emëruar tezja e deputetes socialiste Olta Xhaçka.“Kunatat e doganës së Tiranës kanë nevojë të punojnë të qeta, dhe të jenë të mbrojtura. Për këtë ka menduar qeveria, duke dërguar tezen e deputetes Olta Xhaçka si drejtoreshë të auditit. Drejtoresha Spiropali tha dje se kunata e Ilir Beqës dhe e Ilirian Celibashit paskan qënë në sistem. Spiropali, e cila duhet përgëzuar për kurajën, tha dje se, ndryshe nga sa ka akuzuar Partia Socialiste, qeverisja e Partisë Demokratike nuk i paska larguar kunatat nga puna. Spiropali i ka gjetur në sistem, thjesht i ka sjellë nga rrethet në Tiranë, që të jenë më afër qeverisë”, theksoi Bardhi.Sipas PD-së, denoncimet e bëra tregojnë se premtimet e kryeministrit Rama për më të zotët, janë vetëm një retorikë boshe.“Rrjeti nepotik po kthehet në sytë e publikut si një nga premtimet e rëna të kësaj qeverie, si një nga zhbërjet e saj. A ju kujtohen thirrjet e Ramës dhe të tijve, për dërgim të CV-ve apo për mundësi për më të zotët? E gjitha, retorikë boshe, këto thirrje paskan qenë për kunatat e qeverisë”, tha Bardhi.