Thumanë-Vorë, ende pa përfunduar rruga Durrës-Kukës

E planifikuar të përfundonte në vitin 2009, autostrada Durrës-Kukës-Morinë, nuk mund të quhet aspak e tillë.E inaguruar me një ceremoni madhështore, ku i pranishëm ka qenë edhe  ish kryeministri Berisha, sot ky aks vazhdon të jetë i papërfunduar. E projektuar si një autostradë me katër korsi, ky investim është ndërprerë për rreth 20 km prej fshatit Thumanë të Krujës deri në Vorë.Ngushtimi i kësaj autostrade pikërisht në këtë vend, ka shënuar jo pak herë aksidente automobilistike, disa prej tyre edhe me humbje jete. Kalimi nga njëra korsi në tjetrën, shoqërohet me mjaft probleme për drejtuesit e automjeteve, pasi kjo autostradë është e projektuar edhe për korsi shpejtësie, çka e bën tepër problematike ndryshimin e krahëve dhe kalimin nga njëra korsi në tjetrën.Si të mos mjaftojë ky fakt, kanali ndarës mes korsive është një tjetër problem ku shpesh herë është bërë shkak që drejtuesit e automjeteve të humbasin kontrollin. Të vetmet shenja që të orientojnë dhe paralajmërojnë për ndryshimin e korsive janë dy tabela të vendosura pikërisht në finish të korsive, të cilat nuk mund të shërbejnë për asgjë.Natyrisht që ndërtimi i këtij korridori ishte një investim madhor në vendin tonë duke shkurtuar ndjeshëm distancën me veriun e vendit e më pas me Kosovën, por mungesa e fondeve ka sjellë ndërprerjen e punimeve dhe përfundimin e plotë të autostradës Durrës-Kukës-Morinë.