Bashkia e Tiranës përfundon planet e detajuara vendore për 40 zona të Tiranës

Pas miratimit të Planit të Përgjithshëm Rregullues që i mungonte Tiranës për 23 vite, Bashkia e Tiranës po punon intensivisht për Planet e Detajuara Vendore. Aktualisht, janë miratuar Planet e Detajuara Vendore edhe për 14 zona të tjera duke e çuar në 40 numrin e zonave me studime të detajuara në Tiranë, të cilave u hapet rruga e zhvillimit.Planet e Detajuara Vendore (PDV) kanë në themel të tyre parime të forta të respektimit të pronës private, mjedisit dhe zhvillimit ekonomik. Qytetarët vendosen në kushte të barabarta përpara zhvillimit e në asnjë rast nuk do të lejohet që e drejta e dikujt, të cenoje të tjerët. Këto studime i japin njëherë e përgjithmonë fund zhvillimit kaotik, ku për vite me radhë, fokusi ishte përqendruar tek ndërtimi i pallateve shumëkatëshe që shpërfillin territorin përreth, duke reduktuar hapësirat publike, duke cenuar infrastrukturën rrugore dhe duke mos lënë asnjë sipërfaqe për zhvillimin e institucioneve sociale e arsimore, si ҫerdhe, kopshte apo shkolla.Të gjithë studimet e miratuara, janë bazuar mbi një përqasje që përcakton si prioritete, nevojat e komunitetit. Në gjitha rastet, zhvillimi i pronës është shoqëruar me përcaktimin e hapësirave për rrugë, institucione arsimore, hapësira rekreative, kënde të lojërave për fëmijë e sipërfaqe të gjelbra kompakte. Hapësirat e gjelbra e rekreative, të përcaktuara mbi bazën e standardeve mjedisore janë vendosur në të gjitha zonat e studiuara.Të gjithë zhvillimet e reja do të kontribuojnë për realizimin e rrugëve dhe hapësirave të gjelbra kompakte, në shërbim të banorëve. Në të gjitha nën-njësitë e studiuara, territori i përdorur për ndërtimin rrugëve, hapësirave të gjelbra përbën 30-50% të gjithë sipërfaqes së truallit. Për të 40 nën-njësitë e miratuara, të interesuarit për zhvillimin e pronës mund të aplikojnë menjëherë pranë Bashkisë së Tiranës, për t’u pajisur me leje ndërtimi. Procesi për marrjen e lejeve të ndërtimit është shkurtuar nga 365 ditë, në vetëm 45 ditë, duke nisur nga momenti i aplikimit.