“Surpriza” Gjunkshi, dorëhiqet kreu i ushtrisë shqiptare
Gjenerali i Ushtrisë shqiptare ka lajmëruar dorëheqjen në mënyrë suprizë, duke dorëzuar spaletat e shefit të Shtabit te Presidenti i Republikës. Si një rrufe në qiell të hapur, Xhemal Gjunkshi, me një letër të shkurtër i ka ofruar dorëheqjen Komandatit të Përgjithshëm, duke numëruar vetëm falenderime, por jo shumë arsye. Rreth orës 14:20 minuta një telefonatë befasuese ka lajmëruar aktin e Shefit të Shtabit të Ushtrisë shqiptare, pjesë e NATO-s që kur vetë Gjunkshi mori këtë detyrë, fillimisht si komandant i komandove në vitin 2008, e më pas detyrën e lartë në vitin 2011.
Burimet konfidenciale pas pak minutash bëhen zyrtare dhe publikohet edhe akti me shkrim i dorëheqjes së Gjeneral Majorit të Ushtrisë shqiptare në ekranin e RTV Ora News, e cila siguroi edhe dokumentin që kishte mbërritur ndërkohë në zyrën e Kreut të Shtetit. Në letrën e shkurtër të dorëheqjes drejtuar Kreu te Shtetit, Presidentit Bujar Nishani, nuk le vend shumë për motive ndikuese, por shpreh vleresim per mbeshtjen e tij dhe te paraardhesit te tij.
“Duke shprehur konsideratën më të lartë për Ju, më lejoni që mbështetur në nenin 7, pika 5 dhe nenin 30, pika 3, shkronja "b" të ligjit Nr. 8671, datë 26.10.2000 "Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, të paraqes para Jush dorëheqjen nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Kam patur nderin dhe privilegjin të kryej këtë detyrë të rëndësishme që nga data 8 gusht 2011. Ka qenë një nga periudhat më aktive të shërbimit tim në krye të burrave dhe grave nën uniformë si dhe punonjësve civilë në Forcat e Armatosura, periudhë për të cilën ndjehem krenarë për arritjet e Forcave tona të Armatosura, të cilat kanë konsoliduar edhe më tej opinionin pozitiv për dinjitetin, profesionalizmin dhe angazhimin e FA në shërbim të mbrojtjes së vendit dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut” thekson Gjunkshi.
Dorëhejqa e Gjunkshit vjen gati dy vjet pas marrjes së kësaj detyre dhe vetëm pak ditë pas përfundimit të Konferencës Finale të Implementimit të Strategjive të NATO-s, ku vendi ynë u bë tërësisht anëtare e Aleancës e barabartë mes të gjithë fuqive të mëdha ushtarake.
Xhemal Gjunkshi e moi deyrën në 8 gusht 2011 dhe 2 vitet e tij si numri një i FA, Gjunkshi nuk i shpëtoi dot akuzave. Gjeneral Gjunkshi së bashku me ish-ministrin e Mbrotjes janë akuzuar për shkelje të ligjit në dhënien e gradave.
Së paku në 5 raste të depozituara në gjykatë, ushtaraket pretendojnë se nuk kanë mundur të rriten në gradë, pasi vlerësimet janë bërë mbi baza partiake. Megjithatë dorëheqja e tij vjen paksa si goditje për për qeverinë e re, e cila nuk e kishte shënjestruar ende shefin e ushtrisë dhe që mund të nxisë kureshtjen e NATO-s për arsyet e largimit të shefit të një ushtrie që është partner me rëndësi për aleancën.
Ja kërkesa e dorëheqjes
Lënda : Kërkesë për dorëheqje nga detyra
Drejtuar : Shkëlqesisë së Tij Zotit Bujar Nishani
President i Republikës së Shqipërisë
Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
I nderuar Zoti President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura,
Duke shprehur konsideratën më të lartë për Ju, më lejoni që mbështetur në nenin 7, pika 5 dhe nenin 30, pika 3, shkronja "b" të ligjit Nr. 8671, datë 26.10.2000 "Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, të paraqes para Jush dorëheqjen nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Kam patur nderin dhe privilegjin të kryej këtë detyrë të rëndësishme që nga data 8 gusht 2011. Ka qenë një nga periudhat më aktive të shërbimit tim në krye të burrave dhe grave nën uniformë si dhe punonjësve civilë në Forcat e Armatosura, periudhë për të cilën ndjehem krenarë për arritjet e Forcave tona të Armatosura, të cilat kanë konsoliduar edhe më tej opinionin pozitiv për dinjitetin, profesionalizmin dhe angazhimin e FA në shërbim të mbrojtjes së vendit dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në tërësinë e zhvillimeve të mëdha dhe të arritjeve gjatë kësaj periudhe do të dëshiroj të theksoj kryerjen me sukses, profesionalizëm dhe dinjitet të misioneve të paqes në kuadër të NATO-s në Irak, Afganistan, Kosovë dhe në shtabet ndërkombëtare, asgjësimin e plotë dhe pa ngjarje të jashtzakonshme të mijëra ton municionesh të cilat përbënin një rrezik serioz për popullsinë civile, ndihmën e pakursyer duke bërë të pamundërën të mundur në ndihmë të popullsisë civile të prekur nga fatkeqësitë natyrore të përmbytjeve, bllokimit nga dëbora apo zjarreve, modernizimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura, kryerjen me sukses të veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit modern shqiptar dhe të krijimit të Forcave tona të Armatosura dhe si më të veçantin, çertifikimin e plotë të integrimit në NATO.
Dëshiroj të shpreh me këtë rast mirënjohjen më të thellë për Ju dhe presidentin para jush për besimin e mbështetjen e pakursyer, Ministrat e Mbrojtjes me të cilët pata rastin e mirë të punoja, gjeneralët, dhe të gjithë ushtarakët oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe punonjësit civilë në Forcat e Armatosura për punën e shkëlqyer, profesionalizmin, gatishmërinënë, disiplinën dhe shpirtin e sakrificës në kryerjen e misionit kushtetues në shërbim të mbrojtjes së vendit, në ndihmë të komunitetit si dhe të paqes dhe sigurisë në botë, duke ngritur lart dinjitetin e ushtrisë dhe shtetit shqiptar.
Një falënderim të ngrohtë drejtoj gjithashtu për homologët e mi të vendeve të tjera të Aleancës, për atashetë ushtarakë të vendeve mike e partnere të akredituar në vendin tonë, për të gjithë përfaqësuesit e tjerë ushtarakë dhe civilë të këtyre vendeve, me të cilët kam pasur privilegjin dhe mundësinë të bashkëpunoj në të mirë të Forcave tona të Armatosura.
Me respekt,
GJENERAL MAJOR XHEMAL GJUNKSHI
SHEF I SHTABIT TË PERGJITHSHEM TË FA