Zgjedhjet në Korçë, Stratobërdha: I pari qytetari, votoni për taksa më të ulëta
Ndërsa rivali i tij për bashkinë e Korçës zgjodhi të përmbyllë fushatën në një miting të blinduar mirë edhe nga qeveria qëndrore, Sotiraq Stratobërdha i Partisë Demokratike zgjodhi ekranin e Ora News për të përcjellur tek qytetarët e tij mesazhet e fundit para heshtjes zgjedhore. Stratobërdha vlerëson se ka pasur një përballje qytetare përgjatë fushatës me kundërshtarin politik, i cili sipas tij si nënkryetar bashkie ka bërë dhe pune të mira, por dhe shumë të tjera keq. Duke u ndalur tek të fundit, ai ofron një program të mirë për qytetarët, bazuar në barazinë qendër-periferi si dhe trasparencë në fonde dhe vendime.“U largova në ’96 nga politika për tu rikthyer në 2010 në jetën publike, pasi një plan po kërcënonte qytetin. Këtë qytet ne e kemi të trashëguar dhe duhet tua trashëgojmë brezave të rinj. Fillova të drejtoj një shoqatë që kishte si qëllim problemet e qytetit. Lidhur me fushatën, ka qenë një përballje qytetare, e dy vizoneve të ndryshme. Zoti. Filo ka qenë nënkryetar bashkie për 5 vite e gjysëm, ka bërë punë të mira, por ka bërë dhe punë jo të mira, për këtë unë ofroj planin tim të së djathtës. Politika e ndjekur deri më tani ka qenë më shumë e fasadës, sesa e qytetarëve. 1 vit e gjysëm është pak, por Bashkia dhe qyteti kanë nevoja, pse mos tu përgjigjemi këtyre nevojave.Ka shumë arsye pse qyetarët korçarë duhet të më votojnë mua, por më kryesorja është se programi im është mjaft i mirë, është ndërtuar mbi parimin e barazisë, pasi deri më sot ka pasur investime pa fund në qendër dhe braktisje totale të periferisë. Veç barazisë, Bashkia duhet të jetë e të gjithëve, ka qenë pronë e një grupimi të vogël njerëzish që kanë drejtuar bashkinë. Tjetër, transparenca është shumë e rëndësishme, do jetë program që do mbështetet në transparencën e fondeve dhe vendimeve. Mbajtja e premtimeve përsëri do jetë tepër e rëndësishme. Ka shumë premtime që shpesh herë s’janë mbajtur, ka marrëveshje me biznesin të shkelura gjatë kësaj kohe. Ne ofrojmë një program me këmbë në tokë, realisht të zbatueshëm që mbështetet në traditat më të mira të qytetit. Me rëndësi është dhe ndryshimi i plotë i politikave fiskale. Një ulje taksash do ishte e domosdoshme për Korçën, por ngritja e taksave është shoqëruar me uljen në buxhet. Një luftë me evazionin fiskal dhe një taksim idrejtë do ishte më efektiv” tha ai.Nëse fati është në anën e tij dhe votëbesohet nga qytetarët për një periudhë prej 1 vit e gjysëm, për kandidatin e PD emergjencat për Korçën janë ulja e taksave për qytetarët dhe biznesin, rregullimi i trafikut, shpërndarja e banesave sociale për të pastrehët, lirimi i hapësirave publike, hapja e galerisë “Guri Madhi”, pa lënë mënjanë edhe zhvillimin ekonomik.“Emergjente për qytetarët është ulja e taksave, u është rritur në masën 36-43% vitet e fundit, u është rritur çmimi i ujit tej mase. Ulje të taskave jo vetëm për qytetarët, por dhe biznesin.Gjithashtu rregullimi i trafikut, është kaos, mungojnë tabelat dhe çdo lloj vijëzimi, lirimi i hapësirave publike. Kemi 100 shtëpi për të pastrehët që janë ndërtuar që prej tre vitesh dhe nuk po ndahen. Emergjencë tjetër është hapja e galerisë “Guri Madhi” që të funksionojë gjatë gjithë vitit. Korça është ndërtuar si qytet modern, me rrugë të gjera, me rrugica të rregullta. Korça ka pasur një bum ekonomik, kanë një kulturë të lartë pune, nëse do ta promovojmë dhe do parapregatitim njerëz për ti shërbyer prodhimit do mundohemi të tërheqim fasonin në Korçë, nuk duhet neglizhuar dhe tregëtia, kemi një zonë që prodhon mjaft kultura bujqësore” theksoi Stratobërdha.E ndërsa Tirana mbetet furnizuesi ekonomik përmes qeverisë qëndrore, që aktualisht është mazhoranca e majtë, zoti. Stratobërdha nuk i druhet një privimi ekonomik, duke kujtuar që Kryebashkiaku është një administrator, ndërsa fondet shkojnë për qytetin.“Është luajtur shumë me këtë kartë, që meqë socialistët janë në pushtet do mund të merren fonde më shumë nga Tirana. Gjatë kohës që Berisha ka qenë në qeveri dhe erdhi zoti.Peleshi ju garantoj se ka marrë më shumë se 39% më shumë fonde sesa paraardhësi i tij demokrat. Kryetari i bashkisë është thjesht një administrator, fondet i merr qyteti, nuk mendoj që Rama do arrijë deri këtu, nëse po do ishte e ulët. Administrimi i deritanishëm dhe pse fonde janë dhënë plot, nuk ka qenë ai i duhuri. Unë garantoj që në të ardhmen fondet do të shkojnë në të mirë qytetarëve” tha më tej ai.Duke ju referuar thirrjeve të zotit.Rama sot në Korçë ndaj elektoratit të djathtë, Stratobërdha tha se gara për Korçën jo vetëm është mes dy Sotiraqëve, por dhe mes dy të djathtëve. Në këtë kontekst ai i sheh të majtët si të papërfaqësuar. E nëse fryma e 23 qershorit do bëhet pengesë në këtë garë për PD, kandidati demokrat për kryetar bashkie deklaron se Korça ka ditur gjithmonë të vlerësojë njeriun dhe të vihet kundër rrymës.“Është e vërtetë që PD humbi në zgjedhjet e fundit. Por kandidojmë për diçka krejt të ndryshme. Korça në momente të caktuara ka ditur të zgjedhë një qeverisje vendore të ndryshme nga ajo qëndrore. Korça ka ditur të vlerësojë njeriun dhe grupimin, jo frymën e përgjithshme të qeverisjes. Shpesh herë humbet pozita dhe jo opozita.Unë nuk shikoj vazhdimin e një fryme, por zgjedhjen e një diçkaje të re. Është karakteristikë e zotit.Rama për ti dhënë rëndësi fasadës. Ata mendojnë se Korça është provincial, por nuk është ashtu. Më bëri përshtypje në fjalimin e zotit.Rama ishte thirrja në drejtim të demokratëve. Mendova dhe gjeta arsyen, edhe zoti. Filo ka qenë i djathtë. Shumë e mundshme është që të majtët të ndjehen të papërfaqësuar” deklaroi kandidati i PD.I pyetur cili do jetë fati i tij politik në rast humbje, ai u përgjigj:“Nuk kam menduar gjatë, a do qëndroj në politikë është një përgjgije që nuk ua jap dot sot. Jam kthyer këtu si një detyrim ndaj qyetarëve të Korçës për të bërë diçka për ta, jo për tu hyrë këtyre lojërave politike që nuk janë në shijen time. Unë nuk e quaj këtë fushatë politike, unë jam i djathtë por kjo përmblidhet në taksat e ulëta, administratë të ulët, veç kësaj të tjerat kanë të bëjnë direkt me qytetin, as me të djathtën as me të majtën. Mendoj ti shërbej sa më mirë qytetit dhe me një gjë që ndoshta ka dalë jashtë mode, por duhet ndershmëri” përfundoi Sotiraq Stratobërdha.