PS-LSI në mbështetje të Filos, Rama: Votoni projektin e së ardhmes

Partia Socialiste ka kurorëzuar pasditen e sotme mbylljen e fushatës zgjedhore për bashkinë e Korçës. Me në krye Kryeministri Edi Rama, Zëvendës.kryeministri Niko Peleshi dhe Ministra socialistë kanë marrë pjesë në mitigun përmbyllës në mbështetje të kandidatit të tyre për kryebashkiak, Sotiraq Filo.Edhe pse i bindur në një përsëritje të triumfit të 23 qershorit, kryeministri Rama ka ftuar korçarët të dalin masivisht në zgjedhje të dielën, për të vulosur me votën e tyre projektin e së ardhmes.“U befasuam nga mikpritja juaj. Ky është mitingu më i madh se përpara 23 qershorit. Rruga e suksesit tonë është të punojmë të gjithë si një skuadër. Kemi ardhur sot në Korçë edhe pse fitorja nuk është në diskutim.Korça do të zgjedhë të vazhdojë projektin e së ardhmes. Dilni të votoni të dielën, pasi vota juaj ka vlerë për të ardhmen tuaj” tha Rama.Kryesocialisti vlerësoi drejtimin vizionar të Niko Pleshit si kryebashkiak i Korçës, duke theksuar se suksesi në qeverisjen e Korçës, aftësia e spikatur si menaxher dhe talenti në komunikim bënë që Niko Peleshit t’i binte barra e përgjegjësisë së lartë të zëvendës kryeministrit në përpjekjen e përbashkët për të rilindur Shqipërinë. Në këtë kontekst,Kreu i qeverisë kërkoi nga qytetarët e Korçës të mbështesin vazhdimin e projektit të nisur nga Peleshi, duke i dhënë votën Sotiraq Filos.Ndërkaq ish-kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi, deklaroi se Sotiraq Filo është kryetari i duhur për qytetin juglindor. Ai garantoi se qeveria do të mbështesë projektet e bashkisë së Korçës.Gara për bashkinë e Korçës u hap pas dorëheqjes së Niko Peleshit, përfaqësues i PS dhe emërimit të tij si numri dy i qeverisë. Në këtë garë, socialisti Sotiraq Filo do të përballet me kandidatin demokrat Sotiraq Stratobërdha.