Panariti në ISUV: Të rindërtojmë besimin te konsumatori
Nësë kastravecat kanë përmbajtje të lartë pesticidesh-ashtu siç pretendon Mali i Zi, apo edhe në këtë rast bëhet fjalë për një konukrencë të pandershme-përgjigjia për vertetësinë e kësaj do të merret pas analizave të "Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë”. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se pa patur në dorë këtë raport nuk mund të biem pre e një konflikti tregëtar që maunet të bllokohen në pikat e kalimit doganor. Kjo praktikë duhet të ndodhë edhe me Malin e Zi, tha Panariti dhe nëse rezultatet e analizave do të dalin të ndryshme, atëhere do të ndiqet një referencë ndërkombëtare, pra një Institut i Sigurisë Ushqimore apo veterinar i huaj.“Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë po analizon dhe rastin më të fundit të mbetjeve të pretenduara të pesticideve nga fqinji ynë Mali i Zi në kastravecat e serave tona, dhe unë pres që ne shumë shpejt të kemi analiza, për të parë se ku jemi. Nga ana tjetër unë mendoj se kërkohet një bashkëpunim më i mirë mes Institutit të tonë dhe institucioneve homologe të Malit të Zi për të koordinuar më mirë, veprimtarinë e tyre, për të caktuar një metodologji të saktë si duhen trajtuar ato raste, në mënyrë që këto incidente të mos marrin përmasat e një ‘luftë tregtare’ dhe bllokimeve të panevojshme” tha ai.Panariti tha se vendet duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bëjnë raportime të pafaktuara, në mënyrë që të mos dëmtojnë në këtë mënyrë besimin e konsumatorit. Besim ky që nëse humbet nuk rifitohet.“Komuniteti ndërkombëtar, Bashkimi Europian kanë përcaktuar institutet e tyre të referencës, që kur shtete anëtare dhe jo anëtare kanë përplasje në raporte me pretendimet e tyre për cilësi dhe siguri ushqimore, futen në lojë qendrat ndërkomëbtare të referencës. Dhe për këtë arsye, unë dje me Ministrin e Ekonomisë z, Ahmetaj, kemi marrë masat për ta vendosur këtë raport me Malin e Zi apo me Kosovën me të cilën këmi patur një problem të ngjashëm me çështjen e aflatoksinave, për të patur një rregullsi në këto raporte. Natyrisht institucionet e tyre do të kenë fjalën për tu shprehur, por kjo do bëhet sipas një rregulli, ballafaqim rezultatesh. Kur rezultatet përputhen veprimi është i njehsuar, ndërsa kur nuk përputhen, u drejtohemi qendrave ndërkombëtare të references. Është e rëndësishme kjo për të mos krijuar barriera të panevojshme dhe për të mos krijuar panik të pajustifikuar te konsumatori shqiptar. Është shumë e vështirë të rindërtosh besimin e konsumatorit pasi ke krijuar panik. Kjo duhet të kihet parasysh nga të gjithë gjithë institucionet, dhe nga mediat, pasi është nje mesazh qe shkon dhe për mediat. Krijimi i një paniku të pabazuar krijon çrregullim krijon ankth, krijon penalizim për prodhuesit, për shpërndarësit dhe konsumatorin” ka theksuar Panariti.Deklarata e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, u bë gjatë një aktiviteti në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ku u njoftua akreditimi ndërkombëtar i këtij Instituti për disa analiza të rëndësishme në programin e monitorimit të mbetjeve.