Shqiponja mbledh shqiptarët në kryeqytet, përurohet monumenti në Tiranë
Simboli i kombit shqiptar ,shqiponja dykrenare ka mbledhur përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare shqipofolëse në sheshin tek rrethrrotullimi i Doganës, në hyrje të Tiranës, i cili tashmë është pagëzuar me emrin “Shqiponja”. Menjëherë pas zbulimit të shtatores së babait të pavarësisë, është zbuluar monumenti i një shqiponje të madhe të vendosur në mes të këtij sheshi.Kryeministri Sali Berisha ka uruar në mënyrë të veçantë, në përvjetorin e 100- të Pavarësisë të rinjtë, që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë, më të bashkuar.“Ju uroj gëzuar qytetarëve të Tiranës, qytetarëve shqiptarë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen: “Gëzuar 28 nëntorin!”. Le të urojmë ne së bashku, me përpjekje të madhe, të frymëzuar nga vepra e atyre që bënë të mundur që sot ne të jemi të lirë, të punojmë për të bërë përfundimisht të vërtetë idealin më sublim të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë! Le t’u urojmë ne të rinjve shqiptarë, që të fluturojnë pas shqiponjës gjithnjë e më lart, gjithnjë me dinjitet më të madh, më të lirë , më të bashkuar!”tha Kryeministri.Nga ana e tij numri një i Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, ndërsa shprehu mirënjohjen për familjen Destani, për realizimin e kësaj vepre, theksoi gjithashtu se “shqiptarët zgjodhën shqiponjën si simbolin e lirisë, që nuk e vrau dhe nuk e burgosi dot askush në shekuj”.“Sot jemi mbledhur këtu shqiptarisht dhe solemnisht, nga çdo kënd ku flitet dhe jetohet shqip, për të nderuar këtë simbol të kombit, në 100 vjetorin e Pavarësisë, këtë simbol që askush nuk e vrau dot në shekuj, që askush nuk e futi dot në kafaz, që askush ndër ne nuk e harroi dhe nuk do ta harrojë në jetë të jetëve! Ky simbol i mungonte Tiranës dhe sot vjen këtu, në këtë 100 vjetor, derdhur në çelik të rëndë, sepse sot jemi më të lirë dhe më të fortë se dje, sepse sot kjo shqiponjë në fushën e kuqe të flamurit tonë, valëvitet më e fortë dhe më e lirë, kudo ku jetojnë shqiptarët”-tha ai.Vetë Lazim Destan , biznesmen dhe filantrop i njohur i cili kontribuoi personalisht për realizimin e këtij projekti u ndie fatlum që ka mundur të japë kontributin e tij për tu dhuruar shqiptarëve këtë symbol të cmuar për ta në kët vit jubilar.“Fillimisht, dua të falënderoj autoritetet e vendit dhe gjithë qytetarët e Tiranës për realizimin e këtij projekti simbolik të krenarisë sonë kombëtare. Në këtë moment të veçantë për mua dhe familjen time, falënderoj Zotin që arritëm t’ia dhurojmë kombit këtë shqiponjë dy-krenare të cilën çdo shqiptar e ka në zemër”-theksoi Destani.Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa tha se sot shqiptarët ndihen krenarë, për atë që kanë arritur në këto 100 vite:“Sot, shqiptarët kudo që janë të gjithë, le të jemi krenarë për të arritur gjatë këtij shekulli të mëvetësisë së shtetit shqiptar! Sot Shqipëria është shtet në NATO, shtet i cili është afër integrimi të Bashkimit Evropian dhe unë jam shumë i bindur dhe të gjithë shqiptarët e Kosovës, se përmbyllja e suksesshme e këtij procesi do të kremtohet kudo me të njëjtin entuziazëm, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni, Kosovën lindore, Çamëri, Mal të Zi, në diasporën tonë dhe anekënd këtij globi”Ne perurimin e kesaj vepre kishte perfaqesues edhe nga trojet e tjera shqiptare. Ndërkaq monumenti-skulpturë 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra i shqiponjës dy-krenare, simbol krenarie për gjithë shqiptarët ndodhet në kryqëzimin e Doganës dhe peshon plot prej 16 ton çelik.