Lezhë, përmbarimi i nxjerr nga banesat, policia përplaset me banorët
Tre familje kanë mbetur në qiell të hapur në Shëngjin pasi përmbarimi ka ndërhyrë për prishjen e banesave të tyre. Zyra përmbarimore e Lezhës ka ekzekutuar vendimin për ti kthyer ish pronarit sipërfaqen prej 1 mijë metra katror në hyrje të qytetit të Shëngjinit, ndërsa banorët janë përplasur me policinë pasi pretendojnë se i kanë të gjitha dokumentat dhe se gjykata nuk ka dhënë vendim për këtë çështje. Policia e Lezhës ndaloj dy persona, ndërsa për të nomalizuar situatën është dashur ndërhyrja e forcave të ndërhyrjes së shpejtë në Shkodër.Përfaqësuesit e zyrës përmbarimore të Lezhës kanë bërë të ditur jashtë kamaras se veprimi i tyre është i bazuar në vendimet e Gjykatës së Lartë, ndërsa kanë shtuar se për tokat në bregdet nuk mund të zbatohet ligji 7501. Ata kanë shkuar më tej duke shtuar se ish pronari i ka lejuar familjes që ka përfituar këtë sipërfaqe toke që të disponojë banesën e tij, dhe se pretendimet e tij nuk janë të qëndrueshme.