Rekomandimi i KE për statusin, vendet e Vishegradit vlerësojnë progresin e Shqipërisë
Grupit i vendeve të Vishegradit (V4) mbajti sot takimin lidhur me rekomandimin e Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë.Në këtë takim, morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme të grupit të Vishegradit (Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Polonia), Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, z. Štefan Füle dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ministri i Punëve te Jashtme, Ditmir Bushati. Ishin gjithashtu të ftuar Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, në cilësinë e Presidencës së radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, Austria dhe Turqia.Gjatë këtij takimi, vendet anëtare të V4 dolën me një qëndrim të përbashkët për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të integrimit evropian, vlerësuan pozitivisht progresin e bërë nga Shqipëria në këtë drejtim dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat, në dhjetor të këtij viti.Ministri Bushati u shpreh mbi rolin transformues të procesit të integrimit evropian mbi shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në një trajtë gjithëpërfshirëse, për mbarëvajtjen e procesit të zgjerimit.Pjesëmarrësit vlerësuan mbajtjen e takimeve të rregullta të këtij formati midis V4 dhe Ballkanit Perëndimor në të ardhmen.