Raporti i OSBE: 2013 vit i vështirë ekonomiko-politik, reformat ngecën, klima armiqësore
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, paraqiti sot, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, raportin për gjendjen në Shqipëri dhe veprimtarinë e Prezencës, për periudhën shtator 2012 – tetor 2013. Raporti i përbërë nga 14 faqe, evidenton se “atmosfera e mosbesimit midis dy forcave politike kryesore njollosi mjedisin zgjedhor”, raporti përfundimtar i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve i Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR)doli në përfundimin se zgjedhjet “ishin konkurruese,me pjesëmarrje aktive qytetare gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore”.Në vijim raporti vlerëson se viti i kaluar ka qenë një kohë zhvillimesh domethënëse në Shqipëri, duke vlerësuar 100 vjetorin e pavarësisë një çast të rrallë bashkues, ndërsa armiqësia dhe polarizimi politik u rritën vazhdimisht me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Kalimi i pushtetit,që pasoi zgjedhjet,ishte relativisht i qetë, thuhet në raport, ndonëse jo krejtësisht pa akuza për shpërdorim pushteti nga ana e qeverisë në ikje dhe për spastrim të supozuar të administratës publike nga ana e qeverisë në ardhje.“Viti i kaluar ka qenë një kohë zhvillimesh domethënëse në Shqipëri. Në fund të nëntorit, Shqipëria festoi 100 vjet pavarësi. Festimet ishin, gjithsesi, një çast i rrallë bashkues.Përparimi në axhendën e reformave ngeci, ndërsa armiqësia dhe polarizimi politik u rritën vazhdimisht me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Miratimi,në maj 2013,i dy ligjeve me shumicë të cilësuar, konkretisht i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe atij për nëpunësin civil, si dhe i rregullores së Kuvendit, përmes bashkimit të votave të shumicës qeverisëse dhe opozitës,ishte një përjashtim për t’u shënuar.Zgjedhjet e 23 qershorit nxorën fitues,me një diferencë të madhe,koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste; koalicioni fitoi 83 vende, por për shkak të kapërcimit të mëvonshëm të një deputeti të opozitës, koalicioni i ri qeverisës tani ka 84 votat e nevojshme për të kaluar legjislacion me shumicë të cilësuar prej tri të pestash. Kalimi i pushtetit,që pasoi zgjedhjet,ishte relativisht i qetë, ndonëse jo krejtësisht pa akuza për shpërdorim pushteti nga ana e qeverisë në ikje dhe për spastrim të supozuar të administratës publike nga ana e qeverisë në ardhje” theksohet në raportin e OSBE.Raporti i OSBE vlerëson axhendë ambicioze të qeverisë së re. Sipas raportit, klasa politike shqiptare ka rastin që të përqafojë një stil të freskët politik për të përballuar sfidat thelbësore dhe për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të saj.“Qeveria e re mori detyrën më 15 shtator,me një axhendë ambicioze. Megjithëkëtë, qeveria e re përballet me sfida të konsiderueshme, të cilat duhen trajtuar në një mënyrë të pjekur dhe gjithëpërfshirëse. Është pozitive që shumica e re ka shfaqur interesin e saj të fortë për të ecur përpara me reformat shumë të nevojshme dhe është zotuar të punojë bashkë me opozitën në këtë drejtim. Shpresohet që opozita do të përgjigjet në një mënyrë të favorshme për arritjen e përparimit në axhendën e reformave të vendit. Prezenca dhe bashkësia ndërkombëtare më gjerë kanë vijuar t’u theksojnë të gjitha palëve nevojën për t’u angazhuar plotësisht në institucionet demokratike të vendit. Klasa politike shqiptare ka rastin që të përqafojë një stil të freskët politik për të përballuar sfidat thelbësore dhe për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të saj. Këto aspirata dhe vlerat që ato mbartin janë edhe të OSBE-së dhe Prezenca në Shqipëri ka një rol të spikatur për të luajtur në avancimin e tyre, duke ofruar përkrahje dhe partneritet. Kjo klimë politike i dha trajtë Raportit të Progresit të vitit 2013 të Komisionit Evropian përShqipërinë dhe “Komunikimin nga Komisioni për Parlamentin dhe Këshillin Evropian”rreth strategjisësë zgjerimit, botuar më 16 tetor 2013 dhe kontribuoi në vendimin e Komisionit për të rekomanduar dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të marrë masa në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioni vuri në dukje se dialogu konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës për reformat përkatëse do të jetë jetësor për përparim, sikurse edhe angazhimi konstruktiv në bashkëpunimin rajonal”.Raporti i OSBE thekson se përbushja e kushteve në 5 fushat e evidentuar nga KE për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, pajtohen me mandatin e Prezencës dhe përfaqësojnë fusha kyçe të pikave të forta dhe përvojës së Prezencës.“Komisioni identifikoi pesë fusha përparësie kyçe,të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushë për hapjen e bisedimevetë anëtarësimit, konkretisht: të vijojë reformën në administratën publike; të forcojë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore; të bëjë përpjekje të mëtejshme të vendosura në luftën kundër korrupsionit, përfshirë drejt vendosjes së një bilanci solid; të bëjë përpjekje të mëtejshme të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë drejt vendosjes së një bilanci solid; dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të romëve, dhe politikat kundër diskriminimit, si dhe të zbatojë të drejtën e pronës. Këto përparësi pajtohen shumë me mandatin e Prezencës dhe përfaqësojnë fusha kyçe të pikave të forta dhe përvojës së Prezencës. Prezenca është angazhuar herët dhe fort me qeverinë e re dhe është aktive me të gjithë aktorët politikë e më gjerë në shoqëri. Nga fundi i këtij viti, Prezenca i dha një vështrim të ri plotësisë me të cilën punon me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, duke forcuar bashkërendimin dhe bashkëpunimin me BE-në, duke ofruar një marrëdhënie më të fortë me Këshillin e Evropës dhe Shtetet pjesëmarrëse dhe duke thelluar bashkëveprimin me OKB-në, duke siguruar që burimet e pakta të shkojnë aty ku mund të arrijnë efektin më të mirë dhe që përpjekjet tona të jenë bashkërisht përforcuese”.Për të lexuar raportin e plotë mund të klikoni këtu Raporti i OSBE-së për Shqipërinë