Gjovalin Kadeli zyrtarizon sot kalimin tek LSI-ja
Pas deklaratës në “Ora News” se do të largohet nga grupi parlamentar i PD-së për të kaluar tek LSI-ja, Gjovalin Kadeli duket se do ta zyrtarizoj që sot qëndrimin e tij.Ai dorëzon sot në Byronë e Kuvendit kërkesën për të kaluar në grupin parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim duke u larguar kështu përfundimisht nga Partia Demokratike.Edhe pse formalisht, Kadeli nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar demokrat që në seancën e sotme plenare, duke qëndruar përkrah deputetëve të LSI-së.Ndërkohë pas deklaratës së Gjovalin Kadelit në “Ora News” ka reaguar edhe LSI-ja. Kreu i saj, Ilir Meta është shprehur se deputeti Gjovalin Kadeli është i mirëpritur në LSI dhe se kalimi i tij tek kjo forcë është i natyrshëm pasi ai i përket së majtës.Ndërkohë pas deklaratës së Gjovalin Kadelit se do të largohej nga PD-ja, mbrëmë reagoi edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka,i cili ka qenë i ashpër në deklaratat e tij, duke e konsideruar lëvizjen e Kadelit për çështje të interesave vetjake dhe pazareve të paskrupullta.“Largimet nga opozita drejt qeverisë nuk na dëmtojnë. Largimet dëmtojnë vetëm atë që ikën. Deputeti duhet të respektojë deri fund votën e zgjedhësve. Kjo, çështje e interesave vetjake dhe pazareve të paskrupullta. Kjo qeveri mund të blejë deputetë me premtime dhe shpërblime. Gjuetia e mandatmbajtësve pa integritet, pjese e dobësisë së saj”është shprehur Paloka.