Statusi, Gjosha me Ambasadorin estonez: Tur vizitash për të bindur skeptikët e BE-së
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një vizitë kortezie Ambasadorin e Estonisë, rezident në Athinë Margus Rava. Ministrja vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira me Estoninë, duke shprehur sigurinë se bashkëpunimi do të vijojë të jetë në nivele të larta edhe në të ardhmen. Ajo e njohu ambasadorin, më masat konkrete që po ndërmerr qeveria për përmbushjen e 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Evropian, pas rekomandimit për dhënien e statusit të vendit kandidat.“Publikimi i Progres-Raportit për Shqipërinë, na ka shtuar përgjegjësitë për ta çuar përpara dhe finalizuar procesin e integrimit dhe për këtë qeveria ka hartuar një plan të qartë masash të grupuara sipas secilit prej prioriteteve”, tha ministrja Gjosha gjatë takimit.Ajo vuri theksin në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë tek vendet anëtare të BE, duke pohuar se janë planifikuar një sërë vizitash dhe takimesh me përfaqësuesit e lartë të këtyre vendeve, për të treguar progresin që Shqipëria ka bërë, në kuadër të integrimit në BE. Ministrja Gjosha, kërkoi mbështetjen e Estonisë për ndërtimin e kapaciteteve, trajnimin e specialistëve, nëpërmjet projekteve të binjakëzimit, duke i konsideruar si me shumë vlerë.Ambasadori i Estonisë z. Rava, uroi ministren për detyrën e re dhe shprehu vullnetin për t’íu përgjigjur me ekspertizë dhe asistencë Shqipërisë, për nevoja specifike që ka. “Ne do të ofrojmë ndihmën tonë duke ofruar trajnime dhe projekte binjakëzimi për fusha specifike, nëpërmjet ekspertëve apo duke parë edhe mundësi të tjera”, tha Rava.